U bllokua në Sarajevë në luftë, Dukagjin Lipa rrëfen dramën e vitit 1992!

Dukagjin Lipa, babai dhe menaxheri i yllit botëror Dua Lipa, ka ndarë së fundmi një rrëfim prekës nga e kaluara, duke zbuluar se në vitin 1992 ishte bllokuar në Sarajevën e përfshirë nga lufta.
Gjatë një interviste nga Zagrebi për emisionin “RTL Direkt”, Lipa tregoi se ishte larguar nga Prishtina për shkak të problemeve politike, me destinacion Londrën. “Atë vit, së bashku me të dashurën time të atëhershme, sot bashkëshorten, mbetëm të bllokuar në Sarajevën e kohës së luftës,” tha ai, duke theksuar se në atë kohë Londra nuk ishte aq e zakonshme si destinacion emigrimi.
Por, Dukagjini nuk foli vetëm për të kaluarën e vështirë. Ai ishte në Zagreb për të promovuar festivalin Sunny Hill, ngjarja që ai themeloi në Prishtinë dhe që tashmë ka marrë status ndërkombëtar. Këtu kanë performuar yje si Miley Cyrus, Peggy Gou dhe Katy Perry – jo pak, apo jo?
Gjithashtu, ai ndau se këtë verë kishte shijuar koncertin e Dino Merlin, bashkë me bashkëshorten, ndërsa familja ka një shtëpi verore në Ulqin dhe shfrytëzoi qëndrimin në Mal të Zi për të shijuar koncertin.
Dukagjini preku edhe temën e raportit të tij si baba dhe menaxher me Dua Lipën. Ai theksoi se ata kanë bashkëpunuar që kur Dua ishte fëmijë dhe kanë arritur të vendosin kufij të qartë mes jetës profesionale dhe asaj familjare. Dhe kush ka fjalën e fundit në karrierën e Duas? “Gjithmonë ajo,” u shpreh ai shkurt, duke shtuar se për çështjet kreative, fjala e fundit i takon gjithmonë Duas. Kjo është fuqi vajzash!
Pavarësisht famës, Dukagjini tregoi se familja përpiqet të bëjë një jetë sa më normale, me Duan që kalon kohë me miqtë e fëmijërisë, vëllain dhe motrën. Dhe detaji më i mirë: të tre fëmijët flasin rrjedhshëm shqip. Bravo!
Ai beson fort se artistët dhe sportistët mund të bëjnë shumë më tepër për promovimin e Kosovës sesa politikanët, një mendim personal me të cilin shumë do të bien dakord. A nuk është kështu, apo jo?
