Usher dhe Chris Brown, shfaqja anulohet: A është konflikti prapa skenave arsyeja e vërtetë?

Këngëtarët Usher dhe Chris Brown kanë anuluar edhe dy koncerte të tjera nga turneu i tyre i përbashkët "R&B Tour", duke e çuar në gjashtë numrin e përgjithshëm të performancave të anuluara. Dy netët që fansat nuk do t'i shijojnë ishin planifikuar për 16 nëntor në stadiumin SoFi në Los Anxhelos dhe 6 dhjetor në Hard Rock Stadium në Miami. Pavarësisht këtyre, turneu ka ende nëntë koncerte në kalendar, deri në përfundimin e tij më 12 dhjetor në Tampa, Florida.
Anulimet e fundit vijnë pikërisht kur thashethemet për një konflikt mes dy artistëve po qarkullojnë pa pushim. Sipas raportimeve, dy këngëtarët janë përfshirë në një debat të ashpër prapa skenës në Atlanta, dhe duket se situata nuk është qetësuar aspak.
Gjërat filluan të duken më të çuditshme gjatë koncertit të 5 nëntorit në stadiumin Mercedes-Benz në Atlanta. Shfaqja jo vetëm që nisi me një vonesë prej tre orësh – e papranueshme për fansat – por pati edhe probleme serioze me cilësinë e zërit. Dhe ajo që e bëri më të qartë tensionin, ishte fakti që Usher dhe Chris Brown nuk performuan së bashku, diçka që e kishin bërë rregullisht në koncertet e mëparshme.
Mosmarrëveshja, thuhet, lidhej me orarin e koncertit. Chris Brown kërkonte që shfaqja të shtyhej, duke përmendur trafikun e rënduar dhe vonesat që fansat po përjetonin për të mbërritur në vend. Edhe pse arsyeja mund të tingëllojë e drejtë, vonesa prej tre orësh shkaktoi pakënaqësi të madhe te publiku, dhe duket se përplasjet mes dy artistëve vazhdojnë të jenë të pazgjidhura.
Kujtojmë që katër koncerte të tjera ishin anuluar më parë në Baltimore, Sinsinati, Karolinën e Jugut dhe Indianapolis. Atëherë, organizatorët kishin justifikuar vendimin duke thënë se ishte marrë për të mbrojtur “shëndetin dhe mirëqenien e artistëve, ekipit dhe stafit teknik”. Ata kishin shtuar se: “Një turne këtë kohëzgjatje dhe përmasë kërkon shumë angazhim. Këto ndryshime do të ndihmojnë që koncertet e mbetura të zhvillohen në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme.” Hmm, a thua vërtet?
Deri më tani, as përfaqësuesit e këngëtarëve dhe as kompania organizatore nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar për anulimet e fundit apo për zërat rreth konfliktit. Megjithatë, ironia qëndron se pavarësisht gjithë këtyre problemeve prapa skenave, turneu ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm financiar, duke gjeneruar mbi 280 milionë dollarë të ardhura nga shitja e biletave deri më 3 tetor.
Pra, turneu po sjell të ardhura të mëdha, ndërsa pyetja mbetet se si do të shkojë puna në nëntë koncertet e mbetura.
