Rosamund Pike merr skenën me horrorin 'Feed': Kur dëshira për famë kthehet në makth!

Rosamund Pike, ajo aktorja që na ka lënë me gojë hapur sa herë ka luajtur role grash të forta (dhe shpesh të frikshme), ka një projekt të ri që duket se do na mbajë ngjitur pas ekranit. Bëhet fjalë për filmin horror “Feed”, ku ajo jo vetëm do të luajë rolin kryesor, por edhe do të jetë producente!
Imagjinoni këtë skenar: rrjete sociale, famë, ambicie prindërore dhe një anë vërtet e errët e tyre. Pike do të interpretojë Erin, një mama e dëshpëruar që gjen një “suplement bukurie” super të çuditshëm. Ky suplement ka një premtim të madh: do ta kthejë vajzën e saj gjimnaste në një yll absolut të TikTok-ut dhe Instagramit. Por, siç e imagjinoni, gjërat nuk shkojnë tamam siç duhet. Ndërsa fama dhe suksesi i vajzës rriten, ajo fillon të përjetojë një transformim... të frikshëm.
Këtë “makth dixhital” do ta drejtojë Leslye Headland, emër që e njohim nga seriali “Russian Doll”. Skenari është shkruar nga Daniella Isaacs dhe merr frymëzim nga filmi finlandez “Hatching” i vitit 2022. Data e lansimit të “Feed” nuk është bërë e ditur ende. Filmi përshkruhet si një histori e pazakontë dhe shqetësuese nënë e bijë, që eksploron ambiciet e prindërve, iluzionin e mbrojtjes dhe atë kufirin e hollë midis viktimës dhe grabitqarit.
Pike ka treguar se prej kohësh e ka pasur fiksim të bëjë një film që të tallet pak me varësinë tonë nga rrjetet sociale dhe atë obsesionin modern për t'u bërë i famshëm me çdo kusht. Aktorja shprehet se: “Prej kohësh kam dashur të realizoj një film që luan me obsesionin tonë ndaj rrjeteve sociale, përmirësimit të vetes dhe dëshirës për famë pa pasur domosdoshmërisht ndonjë talent të veçantë. Por edhe me anën e frikshme të mëmësisë moderne”. Dhe çfarë thotë për Erin, personazhin e saj? Ajo është një nënë që beson se suksesi në botën digjitale do ta mbrojë vajzën e saj nga problemet e jetës. Eh, po sikur problemet të fillojnë pikërisht aty?
Regjisorja Leslye Headland e cilëson skenarin një histori shqetësuese, por thellësisht njerëzore, dhe vlerëson guximin artistik të Rosamund Pike. “Rosamund është një nga aktoret më të guximshme që punojnë sot dhe nuk mund të kërkoja bashkëpunëtore më të mirë për të eksploruar anët më të errëta të kësaj historie”, thotë ajo. Me kaq komplimente, mezi presim ta shohim këtë film, apo jo?
