S'paska rëndësi vetëm çfarë ha, por edhe KUR! Këto ushqime të bëjnë dëm në orën e gabuar

Epo, duket sikur s'paska rëndësi vetëm çfarë fusim në bark, por edhe KUR! Disa ushqime, që në dukje duken plotësisht të pafajshme gjatë ditës, mund të të shkaktojnë fryrje, rëndesë ose urth të tmerrshëm nëse i ha me stomak bosh ose pak para gjumit. Nga bananja te portokalli, domatja, çokollata e deri te të skuqurat, ora e saktë mund të ndikojë shumë si ndihesh pasi ha. Kështu që, lëvizja yte e ardhshme në kuzhinë, mendoje pak!
Frutat që nuk t'i do stomaku në mëngjes
Bananja është një nga frutat më “easy-going” që mund të përfshish në rutinën tënde dhe për shumë është zgjedhja e parë sapo zgjohen. Por, kujdes! Nëse e ha vetëm, shumë herët në mëngjes dhe pa pasur asnjë ushqim tjetër para, mund të vëresh që s'ndihesh aq mirë sa prisje. Te disa njerëz, bananja mund të shkaktojë fryrje ose shqetësime gastrointestinale, sidomos kur konsumohet me stomak bosh. Nëse të ndodh, s'ke pse t'i thuash lamtumirë! Provoje ta kombinosh me kos, tërshërë ose fruta të thata dhe shiko nëse reaksioni i trupit tënd ndryshon.
Një portokall ose një gotë lëng natyral mund të duket si zgjedhja perfekte për mëngjesin, por agrumet nuk janë aq miqësore me të gjitha stomakët. Nëse je i ndjeshëm ndaj urthit ose refluksit, aciditeti i portokallit mund t'i intensifikojë simptomat, veçanërisht kur e konsumon me stomak bosh. Nëse ke vënë re se portokalli i mëngjesit të jep një ndjesi djegieje, ndoshta është më mirë ta hash më vonë, bashkë me një vakt normal ose një snack.
Edhe grejpfruti është një tjetër frut që mund të shkaktojë shqetësim te njerëzit me ndjeshmëri ndaj refluksit. Natyra e tij acidike mund të përkeqësojë urthin, sidomos kur konsumohet vetëm dhe me stomak bosh. Nëse të pëlqen, provoje ta zhvendosësh në një moment tjetër të ditës dhe vërej nëse shqetësimi zvogëlohet. Dhe një vërejtje e rëndësishme: nëse merr ilaçe, duhet të kesh kujdes, sepse grejpfruti bashkëvepron me disa prej tyre.
Kur darka të "rëndon" dhe s'të lë të flesh
Domatja është një ingredient kyç në kuzhinën shqiptare dhe zor se mungon nga tavolina. Problemi për disa nuk është domatja në vetvete, por ora dhe sasia. Nëse konsumon sasi të madhe domatesh ose salce domatesh rreth orës 21:00-22:00 dhe më pas shtrihesh shpejt, mund të shfaqësh urth ose refluks. Kjo vlen edhe më shumë kur domatja shoqërohet me yndyra, djathëra ose ushqime të skuqura. Nëse ke vënë re këtë “pattern”, ndoshta një darkë më e hershme mund të bëjë diferencën.
Një copë çokollatë në mbrëmje është për shumëkënd një kënaqësi e vogël e përditshme, por nëse vuan nga urthi, mund të mos jetë zgjedhja më e mirë pak para se të shtrihesh. Çokollata mund t'i përkeqësojë simptomat e refluksit te disa persona dhe, mos harro, përmban edhe kafeinë, sidomos çokollata e zezë. Nëse e ke zakon të hash çokollatë rreth orës 22:00-23:00 dhe pak më vonë ndien djegie ose rëndesë, provoje ta zhvendosësh më herët gjatë ditës.
Qepa e papërpunuar mund të jetë goxha “agresive” për një sistem tretës të ndjeshëm. Te disa njerëz shkakton fryrje, ndërsa mund të përkeqësojë edhe simptomat e refluksit. Nëse darka jote përfshin sasi të madhe qepe të papërpunuar dhe më pas shfaq urth ose parehati, ndoshta ia vlen të provosh një sasi më të vogël ose ta konsumosh më herët. S'do të thotë që duhet të harrosh sallatën fshati – thjesht mund të mos jetë zgjedhja ideale pak para gjumit për një stomak të ndjeshëm.
Hudhra mund ta çojë shijen e një pjate në stratosferë, por kur konsumohet në sasi të madhe dhe shumë vonë në mbrëmje, mund të shkaktojë shqetësime te disa persona. Sidomos hudhra e papërpunuar është mjaft intensive dhe mund të lidhet me urthin ose parehati gastrointestinale te individët e ndjeshëm. Nëse pas një darke shumë të pasur me hudhra ndihesh i rëndë në stomak, ndoshta ora dhe sasia janë dy faktorë që ia vlen t'i rishikosh.
Nëse i dashuron ushqimet pikante, ndoshta s'do të ndahesh prej tyre. Dhe s'ka pse, për sa kohë i toleron mirë. Por, nëse ke tendencë për urth, specat pikantë dhe ushqimet shumë djegëse mund të bëhen më shqetësuese kur konsumohen vonë në mbrëmje. Një pjatë pikante rreth orës 22:00 dhe gjumi pak më vonë është një kombinim që mund të rëndojë më shumë dikë me refluks, sesa i njëjti vakt disa orë më parë.
Gjëja kryesore që duhet të mbash mend është se s'ekziston një tabelë absolute që të tregojë kur “lejohet” të hash çdo ushqim. Trupi yt nuk funksionon me të njëjtën orë për të gjithë, dhe një ushqim që të shkakton urth ty, mund të mos shkaktojë asnjë shqetësim te dikush tjetër. Prandaj, më shumë rëndësi ka të vëzhgosh kur shfaqen simptomat dhe çfarë ke konsumuar para tyre. Për shembull, nëse bananja me stomak bosh të fryn, por të njëjtën banane bashkë me kos e toleron normalisht, ke gjetur tashmë një informacion të vlefshëm për trupin tënd. Kështu që, dëgjoje stomakun tënd dhe merr shënime, sepse ai s'të gënjen kurrë!
