Harroji krepat e thjeshtë: Receta e pankekëve me proteinë që të bën “addict”!

Nëse je lodhur me mëngjeset e njëjta dhe po kërkon diçka që të jetë edhe super e shijshme, edhe të të mbajë ngopur për orë të tëra, këta pankekë me proteinë duhet t'i shënosh menjëherë te recetat e preferuara. Harroji ato mëngjeset "tipike fitnesi" që të duken si detyrim! Këta janë aq të butë dhe të shijshëm sa do të duken më shumë si një brunch i mirëfilltë. . Dhe e dini çfarë? Nuk kërkon as shumë kohë!
Me pak përbërës bazikë, do të krijosh pankekë të butë që mund t'i kombinosh me kos, fruta të freskëta apo gjalpë kikiriku – një fillim i ditës që të mban energjik dhe me humor. Dhe thelbi i mirëfilltë është se kjo recetë bëhet në pak minuta: një banane, një vezë, pak tërshërë dhe një lugë proteinë pluhur. Mjaftojnë këto për të krijuar një masë të thjeshtë që piqet në tigan sa hap e mbyll sytë. Kjo mund të bëhet lehtësisht rutina jote e re e mëngjesit!
Çfarë të duhet për pankekët me proteinë (për një porcion):
- 1 banane
- 1 vezë
- 30 gr tërshërë
- 1 lugë (scoop) proteinë pluhur, me shije vanilje ose çokollate
- 1/2 lugë çaji baking powder
- Pak kanellë
- 1-2 lugë gjelle qumësht, vetëm nëse masa del shumë e trashë
Ndryshe nga shumë receta, kjo ka një pikë të fortë: mund ta përshtatësh lehtësisht sipas shijes tënde. Banana i jep ëmbëlsi natyrale dhe ndihmon me teksturën, ndërsa proteina i bën pankekët më ushqyes. Tërshëra i jep masës trup, dhe kanella shton atë detajin e vogël që e bën mëngjesin të mbajë erë fantastike.
Si t'i përgatisësh pankekët me proteinë:
- Fillo duke shtypur mirë bananen me një pirun, derisa të bëhet pothuajse si pure.
- Shto vezën dhe përzieji mirë të dyja bashkë.
- Më pas, hidh tërshërën, lugën e proteinës, baking powder-in dhe pak kanellë.
- Përzieji të gjithë përbërësit derisa të krijosh një masë homogjene. Kujdes me teksturën këtu! Masa duhet të jetë mjaft e trashë sa të qëndrojë në tigan, por jo aq sa të mos shpërndahet. Nëse e sheh që është bërë tepër e fortë, shto një ose dy lugë qumësht dhe përzieje sërish.
- Ngroh një tigan ngjitës në zjarr mesatar.
- Kur tigani të jetë gati, hidh sasi të vogla nga masa. Është më mirë të bësh pankekë më të vegjël, pasi piqen më lehtë dhe mund t'i kthesh pa u shpërbërë.
- Lëri rreth një ose dy minuta nga çdo anë. Sapo të marrin ngjyrë dhe të bëhen të qëndrueshëm, ktheji me kujdes dhe vazhdo pjekjen.
Dhe ja ku fillon pjesa e vështirë: të presësh derisa t'i vësh në pjatë para se të provosh të parin. E vërtetë!
Sekreti për t'i bërë super të buta!
Nëse do që pankekët të të dalin të butë dhe jo të rëndë, gjëja e parë që duhet të kesh parasysh është zjarri. Një zjarr shumë i fortë mund t'i pjekë shpejt nga jashtë, por do ta lërë brendësinë të papjekur. Mbaje temperaturën në nivele mesatare dhe lëre çdo pankek të piqet me qetësinë e tij. Mos u përpiq t'i bësh gjigandë! Pankekët më të vegjël janë shumë më të lehtë për t'u kthyer dhe zakonisht piqen në mënyrë më uniforme. Nëse përdor proteinë pluhur, sasia e lëngut mund të ketë nevojë për një përshtatje të vogël në varësi të produktit. Disa proteina e bëjnë masën më të trashë, kështu që pak qumësht mund të bëjë diferencën.
Dhe tani, pjesa më e mirë: toppings-at që i bëjnë yll!
Mund t'i shërbesh pankekët me proteinë menjëherë sapo dalin nga tigani dhe t'i bësh sa të thjeshtë ose sa… të ekzagjeruar të duash. Për një rezultat më freskues, shto kos dhe fruta të freskëta. Nëse do diçka më të shijshme, pak gjalpë kikiriku shkon në mënyrë ideale me bananen dhe kanellën. Për dashamirësit e çokollatës, mund të zgjedhësh proteinë me shije çokollate dhe të shtosh sipër ëmbëlsirën tënde të preferuar me çokollatë. Mund të vendosësh edhe luleshtrydhe, banane, boronica ose çdo frut tjetër që ke në shtëpi. S'ka pse receta të jetë e njëjtë çdo herë! Kështu, mos hezito të eksperimentosh, sepse është mëngjesi yt, jo provimi i gastronomisë. Kush tha që shëndetshëm do të thotë e mërzitshme?
