Ngadal, o vëlla! Xhensila Myrtezaj ia pret shkurt fansit “të zjarrtë”

Këngëtarja Xhensila Myrtezaj u përball me një situatë aspak të këndshme gjatë një prej koncerteve të fundit, videoja po qarkullon në rrjetet sociale. Një fans, nga ata që s'mbajnë dot qetë, u përpoq ta puthte pa dëshirën e saj, pikërisht kur ajo po performonte pranë publikut.
Në video duket qartë momenti kur një i ri zgjat dorën, ia kap këngëtares pas kokës dhe provon ta afrojë drejt vetes. Por Xhensila, pa humbur asnjë sekondë, ia largoi dorën dhe u tërhoq disa hapa pas. E irrituar dhe e kapur në befasi, ajo ndërpreu këngën për pak çaste dhe iu drejtua fansit me këto fjalë: “Ngadal, ngadal o vëlla!”
Edhe pse disa persona në publik qeshën me situatën, këngëtarja s'e fshehu aspak pakënaqësinë për këtë sjellje që, le të themi, s'është aspak ok. Pas gjithë kësaj, Xhensila vazhdoi performancën e saj, duke mos lejuar që incidenti ta ndërpriste koncertin.
