MAD ShqipëriaMAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Argëtim

Flokët e lagur para gjumit? Ja pse dermatologët thonë 'STOP' menjëherë!

Pexels

Shumë prej nesh, preferojmë të bëjmë dush në mbrëmje dhe të flëmë me flokë të lagur. Mendojmë 'ç'ka të keqe?', por a e dini se kjo shprehi e pafajshme në dukje, mund të jetë armiku i heshtur i flokëve dhe lëkurës sonë?

E para punë, koka jote nuk është një kasolle lagështire ku mikroorganizmat duhet të bëjnë party. Dermatologia Anna Chacon thotë troç se mbajtja e skalpit lagësht për shumë kohë është ftesë e hapur për mikroorganizmat që të shtohen, duke rritur mundësinë e acarimeve.

Por nuk janë vetëm bakteret. Flokët vetë vuajnë në këtë histori. Kur janë të lagura, fijet bëhen më të brishta se kurrë, Imagjinoni tani, ti rrotullohesh në krevat gjithë natën, flokët fërkohen pas jastëkut dhe hopa! Majat e dyfishta, këputje, dhe ngatërrime sa s'ke ku t'i zgjidhësh. Më mirë t'i kesh flokët si pas një seance te parukierja sesa si pas një lufte me jastëkun, apo jo?

Dhe si të mos mjaftonte, lëkura e fytyrës gjithashtu merr goditjen. Lagështira dhe papastërtitë që mblidhen te çarçafët e jastëkut krijojnë një ambient perfekt për mikroorganizmat, duke kontribuar në acarimin e lëkurës dhe duke përkeqësuar aknet, sidomos për ata që kanë tendencë. Pra, nëse po lufton me ndonjë puçërr kokëfortë, ndoshta është koha të shohësh rutinën e gjumit, jo vetëm kremin që po përdor.

Po çfarë të bëjmë nëse nuk kemi kohë t'i thajmë flokët krejtësisht? Dermatologu Brendan Camp jep disa këshilla shpëtimtare. Një zgjidhje është të vendosësh një peshqir të pastër dhe të thatë mbi jastëk. Ai do të thithë një pjesë të lagështirës. Për flokët e gjatë, një gërshetë e lirshme ul fërkimin gjatë natës. Dhe mos harroni produktet leave-in, ato që nuk shpëlahen, sepse ndihmojnë në zbutjen dhe mbrojtjen e fijeve.

Megjithatë, le të jemi të sinqertë: zgjidhja më e mirë dhe më efikase mbetet tharja e flokëve para se të shtrihesh. Kjo është mënyra më e sigurt për t'i mbrojtur nga dëmtimet dhe për të mbajtur skalpin të shëndetshëm. Pra, herës tjetër para se të zhytesh në botën e ëndrrave me kokën lagur, mendo dy herë!

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.