Rutina e mëngjesit që do të të ndryshojë komplet ditën (dhe nuk do të zgjohesh në 5 të mëngjesit)

Rutinat e stërvitjes në mëngjes janë kthyer në një nga trendet më të nxehta të rrjeteve sociale, me gjithnjë e më shumë njerëz që ndajnë çdo detaj të përditshmërisë së tyre para se të nisë puna. Nga rregullimi i krevatit dhe gota e parë e ujit, te stërvitja, dushi dhe mëngjesi plot vlera, rutina e mëngjesit tani ka estetikën e vet.
Por pas këtyre videove që duken perfekte, fshihet një e vërtetë e thjeshtë: nuk ka nevojë të zgjohesh në 5 të mëngjesit apo të harxhosh orë të tëra për t'u përgatitur, që ta nisësh ditën plot energji. E rëndësishme është të krijosh një zakon që i përshtatet jetës tënde. Mëngjesi mund të jetë një mënyrë e bukur për të kaluar kohë me veten, për t'u motivuar dhe për të hyrë në një humor më pozitiv. Me disa lëvizje të thjeshta, mund të organizosh një rutinë që kombinon stërvitjen, ushqyerjen e duhur dhe pushimin, pa ekzagjerime të kota. Në fund të fundit, nuk ka një orë ideale për stërvitje, por vetëm atë që ti mund ta mbash konstante.
Si të thyesh ciklin e shtyrjes së alarmit dhe të hidratosh trupin
Nëse je nga ata që shtypin butonin "snooze" çdo pesë minuta, provo ta lësh alarmin larg krevatit. Kështu do të të duhet të ngrihesh për ta fikur, duke shmangur ato minuta shtesë gjumi që shpesh të bëjnë të ndihesh edhe më i lodhur. Është një hile e vjetër, por që funksionon!
Pas disa orësh gjumi, organizmi ka nevojë për hidratim. Një gotë ujë sapo të zgjohesh është një zakon i thjeshtë që mund të të ndihmojë ta nisësh ditën më mirë, por edhe të përgatitesh për stërvitjen. Dhe mos u shqetëso, nëse nuk e imagjinon dot mëngjesin pa kafe, nuk ke pse heq dorë prej saj! Kafeina mund të kontribuojë në vigjilencë dhe performancë gjatë stërvitjes. Sigurohu, megjithatë, të marrësh parasysh ndjeshmërinë tënde personale dhe të mos e sforcosh organizmin.
Ushqimi, stërvitja dhe relaksi: Këto janë thelbësore!
Një snack i vogël para stërvitjes mund të të ofrojë energjinë e nevojshme. Banane me gjalpë kikiriku, kos me fruta apo pak djathë gjizë janë disa zgjedhje të lehta dhe të shijshme. Pas stërvitjes, jepi më shumë rëndësi një mëngjesi të plotë që përfshin proteina, karbohidrate dhe yndyra të mira. Vezë, tërshërë, fruta dhe arra mund të jenë baza e një vakti ushqyes .
Mos e nis stërvitjen papritur. Pas disa orësh pasiviteti, trupi ka nevojë për pak kohë që të aktivizohet. Disa minuta ecje, shtrirje të lehta dhe lëvizje të buta do të përgatisin muskujt dhe kyçet e tua për atë që do të vijë. Dhe mos harro, jo çdo stërvitje në mëngjes duhet të jetë intensive. Ecja është një mënyrë e lehtë për të lëvizur, për të përmirësuar gjendjen fizike dhe për ta nisur ditën me humor më të mirë. Mund të zgjedhësh një tapis-rulan ose një shëtitje në lagjen tënde, duke rritur gradualisht ritmin sipas mundësive të tua. Përveç kardio-s, ia vlen të përfshish në rutinën tënde javore edhe ushtrime forzuese. Squats, pompat, ushtrimet për bërthamën dhe peshat mund të kontribuojnë në forcimin e muskujve dhe kockave. E rëndësishme është të ndjekësh një program që i përgjigjet nivelit dhe qëllimeve të tua.
Ndërkohë, elementi më i rëndësishëm i një rutine të mirë mëngjesi është të kuptosh kur trupi yt ka nevojë për pushim. Nëse ke fjetur pak, ndihesh e rraskapitur ose nuk ke marrë veten nga stërvitja e mëparshme, pushimi është më i mirë sesa të sforcosh veten. Sekreti i një rutine të suksesshme të mëngjesit nuk është të kopjosh përditshmërinë perfekte që sheh në rrjetet sociale, por të krijosh versionin tënd që të bën të ndihesh mirë me veten.
