Brad Pitt dhe Angelina Jolie mbyllin luftën për kantinën e verës

Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë arritur një marrëveshje për të mbyllur jashtë gjykatës mosmarrëveshjen e tyre të gjatë për shitjen e kantinës së verës Château Miraval në Francë.
Në një deklaratë të përbashkët, ish-bashkëshortët konfirmuan se çështjen e kanë zgjidhur "në interesin më të mirë të familjes tonë" dhe kanë kërkuar të mos bëjnë komente të tjera. Ata sqaruan gjithashtu se çdo koment i publikuar në media nga burime anonime nuk vjen prej tyre apo nga persona të afërt. Detajet financiare dhe kushtet e kësaj marrëveshjeje nuk janë bërë publike.
Për të kuptuar pse u zgjatte aq shumë kjo dramë, duhet të kthehemi prapa. Pitt dhe Jolie e blenë pronën në vitin 2008 dhe u martuan aty në vitin 2014, por konflikti nisi pas ndarjes së tyre në vitin 2016. Situata u përshkallëzua në vitin 2022, kur Pitt e paditi Jolien pasi akuzoi se ajo kishte shitur pjesën e saj të pronës te biznesmeni rus Yuri Shefler pa pëlqimin e tij, duke thyer kështu një marrëveshje paraprake.
Nga ana e saj, Jolie i hodhi poshtë akuzat dhe pretendoi se Pitt refuzonte t'i blinte pjesën e saj nëse ajo nuk nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti për të mos folur për abuzimet e pretenduara ndaj saj dhe fëmijëve. Avokatët e Pitt-it i mohuan këto pretendime. Më pas, Jolie ngriti një kundërpadi prej 250 milionë dollarësh, duke pretenduar se ish-bashkëshorti po zhvillonte një fushatë hakmarrëse për të marrë kontrollin e kantinës.
Edhe pse në korrik 2024 avokati i aktores i kërkoi Pitt-it t'i jepte fund betejës për të nisur një "proces shërimi" për familjen, çështja vazhdoi në gjykatë. Në qershor, Pitt kishte fituar të drejtën për të marrë në pyetje përfaqësues të kompanisë "Stoli Group".
Kjo marrëveshje vjen pas përfundimit të divorcit të tyre në dhjetor të vitin 2024, një procedurë që zgjati tetë vjet. Familja e tyre përbëhet nga gjashtë fëmijë: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Knox e Vivienne. Disa prej tyre janë distancuar nga babai dhe kanë hequr mbiemrin Pitt nga emrat e tyre. Madje, raportohet se edhe Knox mund të bëjë të njëjtën gjë, ndonëse nuk ka një kërkesë zyrtare.
Ndërkohë, Brad Pitt është në lidhje me Ines de Ramon që nga viti 2022.
