Amazon e rinovon ‘Rings of Power’ për sezonin e katërt, pavarësisht rënies së shikuesve

Amazon konfirmoi më 24 nëntor se ‘The Lord of the Rings: The Rings of Power’ do të ketë sezonin e katërt. Lajmi erdhi pak orë para se të shfaqeshin dy episodet e fundit të sezonit të tretë në Prime Video, duke e bërë zyrtarizimin në një moment kur seriali po përballet me një rënie të konsiderueshme të audiencës.
Sezoni i ri është aktualisht në fazën e paraprodhimit dhe xhirimet pritet të fillojnë në pranverën e vitit 2027 në Shepperton Studios në Britani të Madhe. J.D. Payne dhe Patrick McKay do të kthehen përsëri si showrunners. Peter Friedlander, kreu i televizionit global në Amazon MGM Studios, tha se seriali është bërë një titull përcaktues për Prime Video dhe se sezoni i tretë sjell momentin që fansat e kanë pritur: farkëtimin e Unazës së Vetme.
Megjithatë, numrat nuk duken shumë mirë. Sezoni i tretë arriti 33 milionë shikues në 12 ditët e para, ndërsa sezoni i dytë kishte kapur 40 milionë vetëm në 11 ditë. Edhe më habitullues është fakti që në sezonin e tretë kishte më shumë episode të disponueshme gjatë asaj periudhe (gjashtë) krahasuar me katër episodet e sezonit të dytë. Për të krahasuar, sezoni i parë kishte arritur 25 milionë shikues vetëm në ditën e parë.
Amazon ka ndryshuar mënyrën se si e prezanton suksesin e serisë. Nëse sezoni i parë ishte nisja më e madhe në historinë e Prime Video, dhe i dyti ishte në top 5, sezoni i tretë tani renditet thjesht në top 10 të sezoneve që kthehen dhe konsiderohet si një "soft reboot".
Së bashku me rënien e shikuesve, seriali po përballet me një revolt të vërtetë të fansave në X. Shkaku? Puthja mes Sauron dhe Celeborn, e cila ka shpërthyer në X javën e kaluar dhe ka bërë që fansat të kërkojnë anulimin e dy sezoneve të fundit. Situata është përkeqësuar pasi Amazon bllokoi me copyright një livestream të YouTuber-it Nerdrotic, i cili kishte sfiduar studiuesit e Tolkien të mbrojnë skenën e puthjes.
Kush e kishte menduar që një puthje do të shkaktonte më shumë kaos sesa vetë Luftërat e Unazës?
