Vasil Ruci: Ernest Muçi, një “Roberto Baggio” i dytë për Kombëtaren

Vasil Ruci, ish-sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, ka shprehur një vlerësim super të lartë për Ernest Muçin, duke e konsideruar një nga talentet më të mëdhenj të ekipit Kuqezi.
Në një intervistë për emisionin “Sport News” në News 24, Ruci foli për performancat e sulmuesit shqiptar dhe rëndësinë që ai mund të ketë në projektin e trajnerit Maran. Ai theksoi se Muçi është futbollisti që i duhet Kombëtares.
Në pyetjen e gazetarit për diferencën mes dy trajnerëve, përmendej se ‘faktori’ Muçi është një ndryshim i madh mes tyre: Sylvinho nuk e kishte planifikuar, ndërsa Maran e ka vendosur në qendër të projektit.
I pyetur nëse ka një simpati të veçantë për Muçin dhe si e shihte në rolin e liderit, ish-sulmuesi nuk ngurroi të jepte përgjigjen e tij bindëse. Dy vite më parë thashë që nëse luan Muçi, do fitojmë. Muçi është talent. Po bëj një krahasim, një Roberto Baggio i dytë, një Kombëtare ka nevojë për një lojtar të tillë. Lider nuk do jetë, por do të jetë i pazëvendësueshëm.
Një Roberto Baggio i dytë në Kombëtaren tonë? Kush nuk do donte një superyll të tillë në fushë!
