Drama ligjore e Selena Gomez merr fund? Padia kundër Wondermind u hoq!

Një padi e ngritur kundër kompanisë Wondermind të Selena Gomez, që merret me shëndetin mendor, u pushua vullnetarisht, sipas dokumenteve të gjykatës. Investitorët e kishin paditur Wondermind në gusht, duke pretenduar se ishin mashtruar për të investuar 1.2 milionë dollarë në kompani, e cila u lançua në vitin 2021. Sipas tyre, për vite me radhë, u ishin dhënë premtime të rreme për udhëheqjen, burimet dhe infrastrukturën e kompanisë.
Disa javë pas ngritjes së padisë, Gomez bëri një apel, duke kërkuar pushimin e çështjes kundër saj dhe kompanisë. Selena e kishte prezantuar Wondermind bashkë me nënën e saj, Mandy Teefey, dhe ish-partneren e tyre të biznesit, Daniella Pierson, në fund të vitit 2021. Të tre, së bashku me Wondermind, janë listuar si të paditur në padi, e cila akuzonte për mashtrim, shkelje kontrate dhe mashtrim me letra me vlerë.
Por, si një kapitull që mbyllet pa pritur, paditësit zgjodhën ta pushonin padinë, sipas një dosjeje në gjykatën federale në Delaware të hënën. Padia u pushua "me paragjykim", çka do të thotë se nuk mund të ngrihet më. Nuk u sqarua menjëherë pse padia u hodh poshtë. Avokatët e investitorëve, si dhe avokatët e Gomez, Mandy Teefey dhe Daniella Pierson – e cila më parë ka mohuar akuzat – nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Në padinë fillestare, investitorët pretenduan se themeluesit u kishin thënë se kompania e "mirëqenies mendore" do të përfshinte një aplikacion telefoni, marrëveshje reklamash dhe përmbajtje të drejtuar nga celebritete, duke përfshirë edhe Gomez. Por, ata pretenduan se shumë nga ato premtime mbetën vetëm fjalë, pa u realizuar kurrë. Investitorët thanë se u dhanë informacione të rreme dhe u mbajtën në errësirë për praktikat e menaxhimit dhe financat e kompanisë. Ata pretenduan se e mësuan për problemet e kompanisë vetëm pasi dy artikuj rreth saj u botuan në Forbes dhe The Cut. Hajde gjë, t’i mësosh problemet e biznesit nga mediat!
Mathew S. Rosengart, avokat i Gomez, deklaroi pas apelit në gusht se Nocioni që Selena u përfshi në 'mashtrim' apo ndonjë veprim tjetër të gabuar është absurd. Avokatët e Gomez argumentuan se ajo vetë nuk bëri kurrë asnjë nga deklaratat e rreme të specifikuara në padi dhe se ajo nuk ishte as anëtare e bordit të Wondermind. Sipas tyre, Selena nuk ra dakord të menaxhonte kompaninë dhe nuk kishte asnjë aksion të vogël në të. Ata shtuan se Teefey dhe Pierson merreshin me menaxhimin e kompanisë si bashkë-CEO dhe anëtare bordi, ndërsa Gomez shërbente si konsulente dhe mbante titullin Chief Impact Officer.
Wondermind, e cila në faqen e saj e përshkruan veten si një hapësirë e lehtë, gjithëpërfshirëse ku njerëzit mund të bashkohen për të eksploruar, diskutuar dhe naviguar ndjenjat e tyre, duket se është ende aktive, por faqet e saj në rrjetet sociale kanë qenë relativisht joaktive kohët e fundit. E kush e di se çfarë do të ndodhë tani me këtë kompani, pasi pluhuri i padisë u ul përfundimisht?
