Julia Roberts: 59 vjeç, pa botoks, por me një histori mbi fytyrë!

Në një industri ku presioni për t'u dukur gjithmonë i ri është brutal, Julia Roberts, ikona e filmit "Pretty Woman", po na tregon se plakja nuk duhet kthyer në një luftë pa fund me kohën. Ndërsa i afrohet ditëlindjes së 59-të, Roberts vijon të mbrojë idenë se bukuria nuk ka pse ruhet me çdo kusht përmes ndërhyrjeve estetike, ndërsa rrudhat, sipas saj, janë pjesë e historisë që çdo fytyrë mbart.
Në një intervistë për revistën Elle në vitin 2010, aktorja shpjegoi se dëshironte që tre fëmijët e saj të ishin në gjendje t'i kuptonin emocionet e saj përmes shprehjeve të fytyrës. Për Julias, shprehjet natyrale janë pjesë thelbësore e identitetit të saj dhe nuk duhet të humbasin në përpjekjen për të ruajtur një pamje gjithmonë rinore. Fytyra juaj tregon një histori, dhe nuk duhet të jetë historia e vizitave tuaja te doktori, ishte mesazhi i saj, super i qartë dhe me vend!
Por mos mendoni se nuk e ka provuar! Edhe pse shpesh përmendet si një nga aktoret që i qëndron besnike bukurisë së saj natyrale, Roberts ka treguar se ka provuar botoksin. Por eksperienca, siç e ka shpjeguar vetë, nuk ishte ajo që priste. Aktorja rrëfeu se për disa muaj fytyra e saj dukej sikur ishte ngrirë në një shprehje habie konstante. Aty e kuptoi, me sa duket, se një pamje pa rrudha nuk ishte domosdoshmërisht ajo që donte për veten e saj.
Ajo ka rezerva edhe për "fillers", sidomos ato që përdoren për të zbutur rrudhat rreth buzëve. Për Roberts, shenjat e krijuara nga të qeshurat dhe emocionet janë pjesë e kujtimeve të jetuara, jo thjesht detaje që duhen fshirë nga fytyra.
Në vitin 2014, aktorja pranoi se vendimi për të mos iu nënshtruar një lifting-u mund të shihej si rrezik karriere, duke pasur parasysh standardet estetike të industrisë së filmit. Megjithatë, ajo ka zgjedhur të mos e lidhë vlerën e saj profesionale me fshehjen e moshës. Roberts nuk i gjykon gratë që vendosin të bëjnë kirurgji estetike, por për veten e saj ka preferuar një qasje ndryshe.
Kur e pyesin për sekretin e pamjes së saj, aktorja përmend gjenet e mira, lumturinë dhe dashurinë e bashkëshortit të saj, Danny Moder. Për yllin e Hollivudit, bukuria nuk është vetëm pamja, por edhe si ndihesh dhe si e përjeton jetën. Kështu që, në një botë ku rinia shpesh trajtohet si avantazh profesional, Julia Roberts vazhdon të na kujtojë se plakja natyrale nuk duhet parë si diçka për t'u luftuar me çdo kusht. A ka një pikë më të fortë se kjo?
