Flokët të yndyrosen shpejt pas larjes? Fajin e ka diçka që nuk e pret!

E njeh atë ndjesinë kur sapo ke larë flokët, i ke rregulluar, dhe pas pak orësh... prapë duken sikur s'ke bërë gjë? Kjo është ndjesia më zhgënjyese! Harxhojmë kohë e para për produkte e kujdes, por prapë fundi është i njëjtë: flokë të rënduar e pa shkëlqim. Po sikur gabimi të jetë diku tjetër, aty ku nuk e mendon fare?
Po flasim për furçën e flokëve, po! E di, e di, kush mendon për furçën? Ne e përdorim çdo ditë, sidomos pasi lajmë flokët, për t'i shprishur apo stiluar. Por ideja që furça që përdorim mbi flokë të pastër është vetë e pastër, është komplet gabim. Me kalimin e kohës, midis dhëmbëve apo qimeve të saj mblidhen mbetje nga produktet e stilimit, yndyrë, pluhur, qime të rëna dhe qeliza të vdekura të lëkurës. E imagjinon dot? Çdo herë që e kalon në flokët e sapolarë, gjithë këto "thesarë" transferohen sërish te flokët e tu të freskët. S'ka çudi që përpjekja jote për flokë të pastër e të freskët nuk zgjat sa do të doje!
Lajmi i mirë është se zgjidhja nuk kërkon as produkte speciale, as ndonjë proces super të komplikuar. Hapi i parë dhe më bazik është të heqësh vazhdimisht qimet që mbeten në furçë pas çdo përdorimi. Po për një pastrim më të thellë? Këtu duhet t'i bëjmë një larje të mirë rreth një herë në muaj. Por nëse je nga ata/ato që përdorin shpesh produkte si vajra, kremra apo sprej stilimi, atëherë pastrimi duhet bërë më shpesh. Don't be lazy, people!
Procedura është më e thjeshtë sesa e imagjinon:
- Në fillim, hiq sa më shumë qime të bllokuara në furçë. Mund të përdorësh edhe një krehër tjetër me dhëmbë të hollë ose ndonjë objekt të hollë që mund t'i ngrejë qimet.
- Më pas, fut furçën në ujë të vakët me pak shampo ose një detergjent të butë dhe lëre për disa minuta. Kjo ndihmon që mbetjet të zbuten.
- Me një furçë dhëmbësh të pastër , fërko butësisht zonat mes dhëmbëve ose thumbave të furçës, aty ku zakonisht grumbullohet më shumë pisllëk.
- Në fund, shpëlaje shumë mirë dhe lëre të thahet plotësisht mbi një peshqir të pastër, para se ta përdorësh sërish. Et voilà!
Furça e pastër mund të duket si një detaj i parëndësishëm në rutinën tënde të kujdesit për flokët, por në të vërtetë është pjesë thelbësore e vetë kujdesit. Sepse, çfarë kuptimi ka të investosh në produktet e duhura dhe të ndjekësh një rutinë të mirë larjeje, nëse mjeti që përdor çdo ditë mban mbi vete gjithçka që ti përpiqesh të largosh? Don't let your brush betray you! Do ta bësh pastrimin sot apo nesër?
