S'ke kohë për mëngjes? Këto 3 ide super të lehta të shpëtojnë ditën!

Kemi dy lloj njerëzish në këtë botë, mos e moho: ata që të dielën pasdite bëjnë "meal prep" si specialistë për gjithë javën, dhe ata që hapin frigoriferin çdo ditë me shpresën se do materializohet ndonjë pjatë magjike. Nëse i përket kategorisë së dytë, mos u ndie keq! Të kuptojmë totalisht. Ideja e meal prep-it tingëllon super në teori, por në praktikë? Mund të thotë një mal me tupperware, gatim pa fund dhe një kuzhinë që duket si pas një lufte bërthamore. Po e vërteta është që nuk ke pse i organizon të gjitha vaktet e javës, as nuk ke pse i dedikon gjithë pasditen tënde përgatitjes.
Mjafton pak punë natën para, që ditën tjetër të kesh diçka gati pa pasur nevojë të thyesh kokën çfarë do hash, mes punës, detyrimeve dhe scroll-it pa fund në telefon. Sekreti është të zgjedhësh receta me përbërës të thjeshtë, me përgatitje minimale dhe sa më pak enë për të larë. Kështu, nëse "meal prep"-i të lodh pa filluar ende, këto tre ide janë fiks ajo që të duhet!
Mëngjesi i shpejtë për ata që shtyjnë alarmin pafund: Overnight Oats
Nëse në mëngjes shtyp butonin "snooze" të alarmit derisa të mos ketë kohë as për një kafe, "overnight oats" do të bëhen shoku yt më i mirë. Nuk duan gatim, nuk ndyn tenxhere dhe e vetmja gjë që duhet të bësh është të përziejsh përbërësit në një kavanoz. Po pjesa më e mirë? Mund të ndryshosh shijen çdo herë, në varësi të asaj që ke në shtëpi. Banane dhe gjalpë kikiriku, mollë dhe kanellë, ose luleshtrydhe dhe mjaltë janë disa nga kombinimet më të thjeshta dhe më të shijshme që mund të bësh.
Kur s'ke kohë as të marrësh frymë: Wraps
Për ditët kur e di që do vraposh nga një takim në tjetrin, ose do kesh fare pak kohë për drekë, një wrap është zgjidhja që të shpëton. Është super i lehtë për t'u transportuar, hahet pa ndonjë përgatitje speciale dhe përshtatet me çdo gjë që ke në frigorifer. A jemi seriozë? Kush s'do një wrap kur është me ngut! Mund të shfrytëzosh edhe mbetjet nga darka e mbrëmshme, në vend që të gatuash diçka nga e para. Kështu, jo vetëm që redukton humbjen e ushqimit , por kursen kohë dhe para. Dhe kush nuk i do paratë ekstra në xhep?
Kur të do zemra "gatuar", por pa gatime pafund: Bowls
Nëse do diçka më afër një vakti të gatuar, pa pasur nevojë të gatuash çdo ditë, atëherë "bowl"-i është zgjedhja ideale. Nuk kërkon ndonjë recetë të veçantë dhe mund ta bësh me materiale që i ke tashmë në kuzhinë. Imagjino! Mund të përdorësh perime të pjekura që kanë mbetur nga darka, perime të ngrira që përgatiten shpejt, ose bishtajore në kanaçe që i ke shpëlarë mirë. Drekën e nesërme do ta kesh gati, një vakt i plotë, pa pasur nevojë të porositësh diçka në momentin e fundit.
Qëllimi nuk është të kthesh kuzhinën tënde në një laborator përgatitjeje ushqimesh, as të ndjekësh një program të rreptë që do e lësh pas tre ditësh. Jo, jo! Qëllimi është të bësh përditshmërinë tënde pak më të lehtë. Zgjidh një nga vaktet e mësipërme, dediko 5-15 minuta natën para dhe shiko sa ndryshe mund të jetë mëngjesi yt. Kur kjo të bëhet zakon, mund të shtosh edhe një ide tjetër ose të përgatisësh dy porcione në vend të njërit. Dhe diçka e fundit: nuk ke pse i ke të gjithë përbërësit të organizuar në perfeksion, as nuk ke pse ha të njëjtin ushqim çdo ditë. Pak përgatitje është më mirë se asgjë, sidomos kur të ndihmon të hash më të organizuar pa u lodhur. Sepse meal prep-i më i mirë është ai që realisht mund ta mbash – edhe nëse të mërzit pak! Ose thjesht s'ke nerva.
