MAD ShqipëriaMAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Të famshëm

Johnny Depp rikthehet në Hollywood: A do ta mirëpresim sërish si hero?

Johnny Depp, ikona e filmave që e kemi adhuruar për role si Jack Sparrow apo Edward Scissorhands, po merr rolin kryesor në filmin e ri festiv, "Ebenezer". Po, po, e dëgjuat mirë: Depp do të jetë personazhi i njohur Ebenezer Scrooge, ai njeriu me zemër të ngurtë që pastaj pendohet. BBC shkruan se përzgjedhja e tij i jep filmit një dimension krejt tjetër, duke pasur parasysh të gjithë dramën që e ka shoqëruar karrierën e tij vitet e fundit.

Drama e rikthimit: Një rrugë me gjemba

Rrugëtimi i Depp-it nuk ka qenë aspak i lehtë. Në nëntor të vitit 2020, aktori humbi një gjyq shpifjeje në Angli kundër gazetës “The Sun”, e cila e kishte quajtur "dhunues të bashkëshortes". Gjykata vendosi se gazeta kishte prova, dhe menjëherë pas kësaj, gjigandi “Warner Bros.” e hoqi nga seria e filmave “Fantastic Beasts”.

Por drama nuk përfundoi aty. Konflikti me ish-bashkëshorten, Amber Heard, vazhdoi edhe në Amerikë. Në vitin 2022, Depp e paditi Heard për shpifje pas një artikulli të saj, dhe këtë herë, juria vendosi në favor të tij. Megjithatë, ai gjyq gjashtëjavor, nxori në pah shumë detaje të vështira të marrëdhënies së tyre, përfshirë përdorimin e substancave narkotike. Ish-këshilltarja e tyre martesore dëshmoi se kishte parë "dhunë të ndërsjellë". Në atë periudhë, Depp tha se ndihej i bojkotuar nga Hollywoodi: "Sigurisht që ndihesh pak i bojkotuar kur të kërkohet të largohesh nga një film për shkak të një akuze."

Marketingu i rikthimit dhe opinionet e ndara

Tani, tre vjet më vonë, emri i Johnny Depp po shkëlqen sërish në Hollywood, këtë herë me filmin "Ebenezer" nga studioja “Paramount”, bashkë me yje si Ian McKellen dhe Rupert Grint. Çfarë mendoni, a do ta përqafojë publiku si Scrooge-in pas pendesës?

Duket se ekipi promovues i filmit po luan pikërisht me kartën e rikthimit. Traileri i parë, i publikuar në korrik, e vendosi këtë temë në qendër. "Na solli Jack Sparrow, Edward Scissorhands dhe The Mad Hatter," thuhej në video, pastaj shfaqej Depp duke buzëqeshur e duke thënë: "Është bukur të jesh sërish këtu." Për disa kjo është epike, por jo për të gjithë. Maureen Ryan, autore e librit “Burn It Down”, e quan të papërshtatshme që fushata promovuese ta bëjë rikthimin e tij temën kryesore. Madje, një artikull tjetër pas trailerit e titullonte: "Johnny Depp është rikthyer, kështu që lëvizja Me Too ka vdekur vërtet." Uau, deep. Por fansat e Depp në YouTube? Shumica pozitive, mezi presin ta shohin filmin!

Hollywoodi dhe shansi i dytë: Pse Amber Heard jo?

Eksperti i marrëdhënieve me publikun, Mark Borkowski, ka një teori interesante: Hollywoodi u jep shanse të dyta atyre që sjellin fitime. "Hollywoodi di të të japë një shans të dytë, nëse sheh se mund të fitojë para," thotë ai. Dhe Depp, me bazën e tij të fortë të fansave dhe imazhin e rebelit, duket se premton ende fitime. Edhe gjatë gjyqeve, fansat e tij ishin kudo, në rrjetet sociale dhe jashtë gjyqit, duke treguar se dashuria nuk vdes kurrë, sidomos kur bëhet fjalë për idhujt.

Depp nuk u zhduk plotësisht nga harta. Në vitin 2023, ishte në Festivalin e Kanës me filmin francez “Jeanne du Barry” dhe drejtoi edhe një film tjetër, “Modi”. Plus, vazhdoi të ishte imazh i parfumit Sauvage të “Dior”. Pra, gjithë bota i mbylli sytë? Nga ana tjetër, karriera e Amber Heard mori një kthesë krejt tjetër. Nga një rol i rëndësishëm në "Aquaman" të 2018-s, ajo u shfaq me një rol shumë të zvogëluar në vazhdimin e 2023-s, "Aquaman and the Lost Kingdom", dhe që atëherë, s'kemi dëgjuar më për të në kinema.

Në "Ebenezer", Depp do të shfaqet thuajse i panjohshëm, falë makijazhit dhe protezave për të interpretuar Scrooge. Mbase kjo fshehja fizike do t’i ndihmojë njerëzit të shkëputen nga imazhi i tij i fundit dhe të përqendrohen te filmi. Apo thjesht do t’u japë më shumë material fansave për meme? Kjo mbetet për t’u parë!

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.

Shikojeni këtë lajm në video