Jennifer Lopez vendos t'i mbajë lidhjet e ardhshme private: nuk dua ta bëj më kurrë publike

Jennifer Lopez ka deklaruar se lidhjet e saj të ardhshme dëshiron t’i mbajë larg vëmendjes së publikut. Këngëtarja dhe aktorja shpjegoi se ka nxjerrë mësime nga vitet kur jeta e saj private ishte vazhdimisht nën lupën e mediave.
Gjatë një paraqitjeje në podcastin ‘Popcast’ të gazetës The New York Times, të premten, më 20 nëntor, Lopez tha se dëshiron të mbrojë njerëzit e dashur dhe të ruajë disa gjëra të jetës së saj si krejtësisht private. “Kam nxjerrë mësime se si është kur lidhjet bëhen publike. Nuk dua ta bëj më kurrë këtë”, u shpreh ajo.
Artistja sqaroi se publiku mund ta shohë se me kë shoqërohet, por ajo nuk do të komentojë për këtë pjesë të jetës së saj dhe as nuk do të lejojë askënd të depërtojë në intimitetin e saj. Gjithashtu, theksoi se si artiste nuk mund të heqë dorë nga cenueshmëria emocionale dhe introspeksioni, pasi këto janë të domosdoshme për të krijuar diçka me vlerë.
Vëmendjen mediatike që ka shoqëruar lidhjet e saj të mëparshme e përshkroi si shkatërruese, por tha se nuk pendohet për asgjë. Sipas saj, lidhjet në të cilat ka qenë nuk ishin të destinuara të funksiononin, pavarësisht pranisë së mediave, ndaj nuk mund të thotë se fajin e kishin ato.
Jennifer ka qenë e martuar për herë të fundit me aktorin Ben Affleck. Çifti u martua në korrik të vitit 2022, derisa dy vjet më vonë këngëtarja paraqiti kërkesën për divorc, i cili u finalizua në janar të vitit 2025.
