Jessica Alba: Ish-bashkëshorti merr edhe gjysmë milioni të tjerë pas divorcit të bujshëm

Aktorja e njohur, Jessica Alba, është urdhëruar nga gjykata t’i paguajë ish-bashkëshortit të saj, Cash Warren, shumën e madhe prej 577.481 dollarësh. Kjo pagesë vjen si pjesë e marrëveshjes financiare të divorcit të tyre dhe, siç e shohim, lista e shpenzimeve pas ndarjes nuk qenka thjesht për pushime të reja luksoze. Këto para do të transferohen nga fondi personal i Albas, përmes kompanisë së saj “HonorBar Inc”. Shuma përfundimtare mund të ndryshojë në varësi të fitimeve ose humbjeve nga investimet deri në momentin e transferimit të parave.
Ky vendim i gjykatës vjen disa muaj pasi divorci i çiftit u finalizua në shkurt të këtij viti. Dhe jo vetëm kaq, por atëherë, Warren përfitoi edhe plot tre milionë dollarë, të ndara në dy këste, si pjesë e ndarjes së pasurisë së përbashkët. Tani, me këtë pagesë të re, Alba nuk do të ketë më detyrime të tjera financiare ndaj ish-bashkëshortit në lidhje me përfitimet nga kompania e saj. Të paktën kjo është një lajm i mirë për xhepin e aktores, apo jo? Një kapitull i vërtetë, ky divorc!
Por ajo që na lë me gojë hapur është fakti që Jessica dhe Cash nuk kishin nënshkruar asnjë marrëveshje paramartesore. Imagjinoni pak: pa kontratë paramartesore, kur bizneset e tyre vlejnë sa një thes me flori! Kompania e Albas, “The Honest Company”, ishte vlerësuar plot 623 milionë dollarë, ndërsa brendi i veshjeve të brendshme dhe çorapeve i Warrenit, “Pair of Thieves”, arrinte në të paktën 100 milionë dollarë. Po sikur ta kishin menduar pak më thellë para se të thoshin "Po"?! Shumë lekë i shkuan “huq”, siç themi ne.
Alba dhe Warren ishin bashkëshorte për 16 vjet dhe janë prindër të tre fëmijëve: Honor (18 vjeçe), Haven (15 vjeçe) dhe Hayes (8 vjeç). Ata kanë rënë dakord të ndajnë kujdestarinë ligjore dhe fizike të fëmijëve, gjë që është më e rëndësishmja. Ndarja e çiftit ndodhi në dhjetor të vitit 2024, ndërsa në janar 2025, aktorja konfirmoi publikisht fundin e martesës përmes një postimi në Instagram. Ajo shkroi se ka ardhur koha që secili të nisë një kapitull të ri, duke theksuar se fëmijët do të mbeteshin gjithmonë përparësia kryesore.
Një muaj më vonë, Alba paraqiti kërkesën për divorc, duke përmendur “mospajtime të pakapërcyeshme”. Dhe siç ndodh shpesh pas një ndarjeje, sidomos kur je personazh publik, jeta private shpesh merr kthesa të reja. Aktorja ka nisur një lidhje të re me aktorin Danny Ramirez, me të cilin është përfolur që nga korriku i vitit 2025. Për lidhjen e re të ish-bashkëshortes, Warren u shpreh shkurt se është i lumtur për të. Marrëdhënia mes tyre nuk duket aspak e afërt. Në maj të këtij viti, ata u panë në ceremoninë e diplomimit të vajzës së tyre, Honor, në Los Angeles, ku qëndruan larg njëri-tjetrit, në skaje të kundërta të të njëjtit rresht. Duket se edhe ndarja e rreshtave ka rregullat e veta, sidomos pas një ndarjeje me kaq shumë dollarë në mes! Çfarë mendoni ju, a është vërtet i lumtur Cash?
