Brookies: Dilema mes çokollatës dhe biskotës zgjidhet me një recetë hyjnore!

Të gjithë e dimë atë momentin kur të kap dëshira e çmendur për çokollatë dhe ti ngecesh mes dilemës së madhe të pastiçerisë: të bësh një brauni të pasur e çokollatoz, apo të dorëzohesh para joshjes së butë të një biskote të ngrohtë me plot pika çokollate?
Kur barku nuk pranon kompromise, zgjidhja vjen si një hibrid gjenial ëmbëlsirash, që është bërë hit sa pak gjëra të tjera. Brookies janë tamam siç e thotë emri: kombinimi perfekt i zemrës së shkrirë dhe të dendur të braunit klasik me sipërfaqen e artë e krokante të biskotës. Çdo kafshatë është një udhëtim mes teksturash të ndryshme, copash çokollate që shkrihen në qiellzë dhe aromës së mrekullueshme të gjalpit të karamelizuar. Rezultati është diçka e butë në qendër, që të lë gojën hapur!
Me vetëm 20 minuta përgatitje dhe 40 minuta në furrë, mund të bësh nëntë copa të bollshme që do zhduken nga tava pa u ftohur fare. Këtu kemi mbledhur të gjithë përbërësit dhe hapat që të duhen për të arritur ekuilibrin perfekt mes dy brumërave. Bëj gati, se do marrësh nota dhjeta nga të gjithë!
Përbërësit për brumin e biskotës:
- 120 gr gjalpë
- 120 gr sheqer i zi i butë
- 50 gr sheqer i bardhë kristal
- 1 vezë e madhe
- 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
- 2 majë kripe
- 1/2 lugë çaji sodë buke
- 170 gr miell që fryhet vetë
- 200 gr pika çokollate qumështi
Përbërësit për masën e braunit:
- 200 gr gjalpë
- 150 gr çokollatë e zezë 60% në copëza
- 120 gr sheqer i zi i butë
- 50 gr sheqer i bardhë kristal
- 3 vezë të rrahura
- 1 lugë çaji ekstrakt vanilje
- 50 gr kakao e paëmbël
- 1 majë kripe
- 80 gr miell
- 100 gr çokollatë në copëza dhe pak shtesë për sipërfaqe
Përgatitja e brumit të biskotës:
- Shkrini gjalpin në një tenxhere të vogël dhe lëreni për disa minuta që proteina e tij të karamelizohet dhe të marrë ngjyrë të lehtë. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni mënjanë derisa të ftohet plotësisht.
- Në një tas, rrahni me rrahës teli gjalpin e shkrirë të ftohtë bashkë me sheqerin e zi dhe atë të bardhë.
- Shtoni vezën, vaniljen, kripën dhe sodën e bukës dhe përziejini mirë derisa të bashkohen.
- Hidhni miellin, duke e palosur butësisht masën derisa të homogjenizohet. Përfshini në të njëjtën mënyrë të butë pikat e çokollatës së qumështit dhe vendoseni masën në frigorifer për t'u ftohur për dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta.
Përgatitja e masës së braunit:
- Shkrini gjalpin bashkë me çokollatën e zezë në banjëmari ose në mikrovalë. Hiqeni masën dhe lëreni për pesë minuta që t'i ulet temperatura.
- Rrahni me rrahës teli ose mikser dore vezët, sheqerin e zi dhe atë të bardhë dhe vaniljen për disa minuta derisa të bëhen kremoze.
- Përfshini masën e vakët të gjalpit dhe çokollatës duke e përzier vazhdimisht.
- Sapo masa të shkëlqejë, sitni brenda miellin, kakaon dhe kripën, duke i palosur butësisht derisa të “zhduken” ingredientët e thatë, dhe në fund shtoni copëzat e çokollatës.
Montimi dhe pjekja:
- Lyejini me gjalpë bazën dhe anët e një tave katrore 22 x 22 cm ose të ngjashme, shtrojeni me letër pjekjeje dhe hidhni brenda gjysmën e masës së braunit.
- Përhapni sipër gjysmën e brumit të biskotës në copa të çrregullta. Përsëriteni edhe një herë shtresat, duke vendosur fillimisht pjesën e mbetur të masës së braunit dhe sipër saj pjesët e mbetura të brumit të biskotës.
- Spërkatni në sipërfaqe copëzat shtesë të çokollatës për një rezultat edhe më të pasur.
- Piqeni ëmbëlsirën në furrë të parangrohur në 170°C me ajër, në raftin e mesëm, për rreth 40 minuta, derisa të stabilizohet në anë por të mbetet e dridhur në qendër.
- Lëreni të ftohet mirë, nxirreni nga tava me kujdes të madh – sepse sipërfaqja thyhet lehtë – dhe prijeni në copa të vogla katrore. E kush tha që nuk mund t'i kesh të dyja?
