MAD ShqipëriaMAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Të famshëm

Gérard Depardieu tërheq apelin ndaj dënimit për sulm seksual dhe u kërkon falje viktimave

Aktori i njohur francez, Gérard Depardieu, ka vendosur të mos apelojë më dënimin për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të një filmi në vitin 2021. Për herë të parë, ai u ka kërkuar falje publike grave që e denoncuan.

Në një deklaratë me shkrim, 77-vjeçari shkruan: “Jam shpallur fajtor. E dëgjoj këtë vendim dhe e pranoj. U kërkoj falje të thellë dhe të sinqertë të gjitha atyre që kanë vuajtur.” Më tej, aktori pranoi se për një kohë të gjatë ishte fshehur pas provokimeve dhe humorit të papërshtatshëm në sheshxhirime. Ai thotë se tani e kupton që fjalët dhe veprimet e tij kanë pasur pasoja, sidomos duke pasur parasysh pozitën e tij të fuqishme në industrinë e filmit. Sipas tij, edhe nëse nuk ka pasur kurrë qëllim t’i lëndojë gratë, qëllimi nuk e ndryshon dëmin e shkaktuar.

Depardieu u shpall fajtor vitin e kaluar për sulm seksual ndaj një gruaje 55-vjeçare që merrej me dekorin dhe një ndihmësregjisoreje 35-vjeçare. Këto ngjarje ndodhën gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts” në Paris, në shtator të vitit 2021. Me tërheqjen e apelit, dënimi me kusht mbetet në fuqi, ndërsa emri i aktorit do të regjistrohet në regjistrin francez të personave të dënuar për vepra seksuale.

Reagimet nga gratë që e denoncuan nuk vonuan. Njëra prej tyre, e identifikuar si Amelie, tha se kishte pritur prej vitesh këtë kërkimfalje, por do të kishte preferuar ta merrte personalisht në gjykatë. Ndërsa gruaja tjetër, Sarah, deklaroi se përbindëshi i kinemasë ka rënë.

Ky dënim i Depardieu u konsiderua një moment i rëndësishëm për lëvizjen #MeToo në Francë, duke e bërë atë figurën më të njohur të industrisë franceze të filmit të dënuar për sulm seksual. E dimë të gjithë që më parë, Depardieu i kishte mohuar të gjitha akuzat dhe kishte kritikuar ashpër lëvizjen #MeToo, madje duke pretenduar gjatë gjyqit se mediat po i përdornin akuzat për të dëmtuar reputacionin e tij.

Drama s'ka fund, pasi Depardieu përballet edhe me një çështje tjetër gjyqësore. Ai ka apeluar vendimin që e detyron të dalë në gjyq për akuzat për përdhunim dhe sulm seksual ndaj aktores Charlotte Arnould, të ndodhur në banesën e tij në Paris, në vitin 2018. Gjykata pritet të vendosë këtë muaj nëse procesi do të vazhdojë vitin e ardhshëm.

Për ta bërë situatën edhe më interesante, presidenti francez Emmanuel Macron kishte dalë në mbrojtje të aktorit në dhjetor të vitit 2023, duke deklaruar se Depardieu “e bën Francën krenare”, pavarësisht hetimeve dhe akuzave.

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.

Shikojeni këtë lajm në video