Mos ki frikë nga arti: Si t'i japësh shpirt mureve të shtëpisë!

Zgjedhja e një pikture është një nga ato vendime dekorimi që i shtyjmë pafund, jo se nuk duam art në shtëpi, por nga frika se mos zgjedhim diçka që do na mërzitet shpejt. Një pikturë nuk ndërrohet lehtë si një jastëk apo vazo, ajo zë një vend qendror dhe ndikon shumë në atmosferën e gjithë dhomës. Ndoshta kjo është arsyeja pse shumë përfundojnë me zgjedhje të sigurta, totalisht të papersonalizuara masive, ose i lënë muret të presin zhveshur për vite me radhë. Po çfarë është kjo frikë?! Arti nuk është për muzeume, por për shpirtin e shtëpisë tënde!
E vërteta është që nuk ke nevojë të dish thellësisht historinë e artit, as të kërkosh me dëshpërim veprën që do aprovojnë të gjithë vizitorët e tu. E vetmja gjë që të duhet vërtet është të vëzhgosh me kujdes përmasat, ngjyrat dhe atmosferën e hapësirës tënde dhe, mbi të gjitha, t'i besosh instinktit tënd duke zgjedhur diçka që do të të pëlqejë ta shohësh çdo ditë. Një pikturë s'ka pse të jetë e shtrenjtë apo e famshme, mjafton të shtojë një histori, një mister, apo një kthesë të vogël në dekorin tënd. Arti nuk është thjesht për të mbushur një hapësirë boshe, por për të na bërë të ndiejmë dhe për të kthyer një apartament thjesht të bukur në një strehë me shpirt.
Instinkti yt, kuratori më i mirë
Piktura e duhur nuk është domosdoshmërisht ajo që përputhet me saktësi matematikore me jastëkët e tu, por ajo që të bën të ndalosh sa herë kalon para saj, edhe nëse s'mund ta shpjegosh menjëherë pse. Mund të të tërheqë një vepër abstrakte me lëvizje intensive, një peizazh i qetë, ose një figurë njerëzore që duket se mbart historinë e saj të fshehtë. Mendo fillimisht çfarë ndjesie dëshiron të krijojë çdo dhomë, pasi në dhomën e gjumit ndoshta kërkon qetësi, ndërsa në sallon mund të lejosh më shumë intensitet dhe humor. Harro kopjet e katalogëve, sepse dekori bëhet interesant kur zbulon diçka nga ti dhe jo kur duket si një faqe e shkëputur nga një revistë!
Përmasat dhe pozicionimi: Formula sekrete
Edhe piktura më e mrekullueshme mund të humbasë nëse është shumë e vogël për murin, ose të ngushtojë dhomën nëse është tepër e madhe. Kur vendos një vepër mbi divan, krevat ose një konsolë, llogarit që gjerësia e saj është mirë të mbulojë rreth dy të tretat e gjerësisë së mobilies poshtë saj. Dhe nëse ke një pikturë të vogël që e do shumë, shmangi varjen e saj vetëm në qendër të një sipërfaqeje të madhe. Më mirë integroje në një kompozim "gallery wall" ose gjej një mur më të ngushtë, duke formuar fillimisht konturin e saj me shirit letre për të kontrolluar lartësinë pa bërë vrima të kota. Le të jemi të sinqertë, kush do vrima ekstra në mur nga eksperimentet dështuese?! Askush!
Ngjyrat dhe kornizat: Detajet që bëjnë diferencën
Që një pikturë të integrohet në mënyrë harmonike në hapësirën tënde, mjafton që një ose disa nga ngjyrat e saj të "flasin" diskretisht me elemente që tashmë ekzistojnë në dhomë, pa përsëritur gjithë paletën. Nganjëherë, kontrasti i fortë është pikërisht ajo që i mungon një dekori tepër të sigurt, pasi në një shtëpi neutrale, një vepër me blu të thellë, të kuqe ose jeshile bëhet pika që zgjon menjëherë vështrimin. Paralelisht, korniza funksionon si urë lidhëse mes pëlhurës dhe ambientit. Druri natyral e zbut imazhin, e zeza i jep qartësi, dhe një kornizë e hollë metalike shton elegancë diskrete pa i vjedhur rolin kryesor. Pra, zgjidh me kujdes, mos e lër kornizën të marrë gjithë vëmendjen e veprës! Shko, provo, dhe ktheje shtëpinë tënde në një galeri arti personale. Çfarë po pret?
