MAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Argëtim

Frojdi dhe gjuha e gabuar: A është mendja jonë vërtet 'e jona'?

Sigmund Freud, mjeku neurolog austriak dhe themeluesi i psikanalizës, njëkohësisht një nga figurat më me ndikim në historinë e psikologjisë, besonte se ne njerëzit e njohim veten shumë më pak sesa mendojmë. Sipas tij, pas veprimeve, fjalëve dhe vendimeve tona fshihen shpesh motive për të cilat nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm. Ai e përmblodhi këtë ide me një thënie të famshme: Egoja nuk është zot në shtëpinë e saj. Me pak fjalë, ajo pjesë e mendjes që beson se kontrollon gjithçka, mund të mos jetë aspak sundimtarja e vërtetë. Shpesh është më shumë një zëdhënëse që përpiqet të shpjegojë vendime të ndikuara nga forca të tjera, të padukshme. Kjo ide qëndron në themel të një prej teorive më të njohura dhe më të debatuara në psikologji.

Në një nga leksionet e tij, Frojdi tregoi një histori interesante nga parlamenti austriak. Kryetari i kuvendit u ngrit për të hapur një mbledhje që pritej të ishte tejet e vështirë. Ai hodhi një vështrim në sallë, pa që kuorumi ishte i plotë dhe, me një zë të qartë, njoftoi se po e shpallte seancën të mbyllur! Salla shpërtheu në të qeshura. Kryetari kishte dashur të thoshte se seanca ishte e hapur. Ai e korrigjoi menjëherë gabimin, por për Frojdin, ky lapsus nuk ishte aspak i rastësishëm. Sipas interpretimit të tij, kryetari e kishte aq shumë frikë takimin, saqë një pjesë e pavetëdijshme e mendjes së tij dëshironte që ajo të mbaronte para se të fillonte. Dhe kjo dëshirë kishte dalë në pah në një fjalë që ai nuk e kishte pasur ndërmend të thoshte.

Id, Ego, Superego: Tre musketerët e mendjes

Në vitin 1923, në librin Egoja dhe Id-i, Frojdi prezantoi një model të ri të mendjes njerëzore, ku jeta jonë psikike mund të kuptohej përmes ndërveprimit të tre strukturave: id-it, egos dhe superegos.

Id-i është pjesa më primitive e këtij modeli. Ai përfaqëson instinktet, impulset dhe dëshirat e menjëhershme. Nuk njeh logjikë, durim apo pasoja. Nuk pyet nëse diçka është e drejtë apo e gabuar. Kërkon vetëm kënaqësi dhe përmbushje të dëshirave. Frojdi e përshkroi si një kazan ku vlimet instinktive dhe energjitë janë vazhdimisht në lëvizje. Id-i nuk arsyeton, thjesht dëshiron. Është pak a shumë si shoku yt që thotë haide e dalim shpejt se jam pa lekë kur ti ke një provim pas një ore.

Në anën tjetër kemi superegon, zërin e brendshëm të autoritetit dhe ndërgjegjes morale. Ajo formohet gjatë fëmijërisë, nën ndikimin e prindërve, mësuesve dhe shoqërisë. Superegoja vendos kufizime, krijon ndalime dhe përcakton idealin e asaj që duhet të jemi. Por, sipas Frojdit, ky gjykatës i brendshëm mund të jetë shumë më i ashpër se çdo autoritet i jashtëm, duke na bërë të ndihemi fajtorë edhe për dëshira që nuk i kemi kthyer kurrë në veprim. Imagjinoni atë zërin që ju thotë: S'duhet ta haje atë copën e dytë të tortës, duhet të ishe në palestër!

Mes këtyre dy forcave shtrihet egoja, pjesa që përballet me realitetin. Ajo përpiqet të përmbushë dëshirat e id-it, pa shkelur kërkesat e superegos dhe pa u përplasur me kufizimet e botës së jashtme. Frojdi e përshkroi egon si një krijesë e detyruar t'u shërbejë tre zotërve njëkohësisht: id-it, superegos dhe realitetit. Dhe pikërisht këtu lind konflikti: një pjesë e jona e do, një tjetër e refuzon, ndërsa një e tretë përpiqet të gjejë një kompromis. Njeriu, sipas Frojdit, nuk është një zë i vetëm, por një negociatë e vazhdueshme mes forcave që shpesh kundërshtojnë njëra-tjetrën. Kjo shpjegon ndoshta pse nganjëherë s'jemi të sigurt as çfarë kemi ngrënë mbrëmë, lëre më për vendimet e mëdha!

Kalorësi dhe kali: Kush e drejton vërtet karrocën?

Për të shpjeguar më qartë marrëdhënien mes egos dhe id-it, Frojdi përdori metaforën e kalorësit dhe kalit. Egoja është kalorësi, ndërsa id-i është kali. Kalorësi mban frerët dhe përpiqet të përcaktojë drejtimin, por fuqia reale e lëvizjes i përket kalit. Kalorësi mund ta drejtojë atë vetëm duke përdorur energjinë që zotëron vetë kali.

Megjithatë, Frojdi theksoi një të vërtetë, jo dhe aq të këndshme: kur kalorësi dështon të kontrollojë kalin, shpesh detyrohet të ndjekë drejtimin që zgjedh kafsha. Dhe pastaj, sillet sikur ajo rrugë të kishte qenë vendimi i tij që në fillim. Kjo metaforë shpjegon se si, sipas Frojdit, dikush mund të justifikojë me argumente logjike vendime që në fakt janë ndikuar nga dëshira, frika apo impulse të pavetëdijshme. Mund të besojmë se kemi vepruar pas një arsyetimi të kujdesshëm, ndërsa arsyetimi mund të ketë ardhur më vonë, thjesht për t'i dhënë kuptim asaj që kemi bërë tashmë.

Frojdi s'gabonte? Pse na intereson ende sot?

Edhe pse modeli i Frojdit mbetet i diskutueshëm dhe nuk konsiderohet një përshkrim shkencërisht i vlefshëm i strukturës së mendjes, pyetja që ai shtroi mbetet shumë relevante: sa kontroll kemi ne vërtet mbi motivet që na shtyjnë të veprojmë? Psikologjia bashkëkohore e pranon se shumë procese mendore ndodhin jashtë vetëdijes, edhe pse kjo nuk do të thotë se ato operojnë domosdoshmërisht sipas modelit frojdian.

Ndoshta mësimi më domethënës i kësaj teorie është se njohja e vetvetes kërkon më shumë sesa thjesht të besosh shpjegimet që i japim vetes. Ndonjëherë na duhet të pyesim jo vetëm pse morëm një vendim, por edhe cilat dëshira apo frikëra mund ta kenë ndikuar atë. Sepse, siç sugjeroi Frojdi, mund të mbash frerët në duar, pa qenë gjithmonë ti ai që vendos drejtimin.

Kështu që, herës tjetër që "aksidentalisht" thoni diçka pa e menduar, mos u çudisni! Frojdi thotë se pas çdo "gabimi" mund të fshihet një dëshirë, apo jo?

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.

Shikojeni këtë lajm në video