Cristiano Ronaldo mposht Messin si fituesi më i madh i “Topit të Artë”!

Cristiano Ronaldo, futbollisti portugez i Al-Nassr, e ka fituar çmimin BOAT, një njohje e re e prezantuar nga UEFA në bashkëpunim me revistën franceze të futbollit “France Football”. Qëllimi i këtij çmimi është të zgjedhë fituesin më të madh të “Topit të Artë” përmes votimit publik.
Kjo ishte një tjetër përballje simbolike mes dy superyjeve të futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, këtë herë larg fushës së gjelbër. Në votimin për çmimin BOAT, ylli portugez zuri vendin e parë, duke lënë pas rivalin e tij argjentinas.
Ajo që e bëri Ronaldon të triumfonte ishte “Topi i Artë” i fituar në vitin 2008, kur luante me Manchester United. Messi u rendit i dyti me çmimin e tij të vitit 2012, ndërsa Ronaldo siguroi edhe vendin e tretë falë fitores së tij në 2017-ën. Seriozisht, nuk mjafton që fiton, por merr edhe vendin e tretë në të njëjtin votim! Ky quhet dominim!
Votimi përfshiu dhjetë emra të mëdhenj të historisë së futbollit, të cilët kanë fituar “Topin e Artë” të paktën dy herë. Edhe pse Messi kryeson listën e përgjithshme me tetë trofe kundrejt pesë të Ronaldos, ky i fundit ia doli të merrte votat e publikut për “Topin e Artë” më të mirë. Mes legjendave të tjera që morën pjesë ishin Marco van Basten, Michel Platini dhe Johan Cruyff, të gjithë me nga tre “Topa të Artë”.
Lista u plotësua nga yje si Ronaldo Nazário, Franz Beckenbauer, Kevin Keegan, Alfredo Di Stéfano dhe Karl-Heinz Rummenigge, të gjithë emra që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e futbollit botëror.
Detajet e bëra publike zbuluan se fansat kishin mundësinë të votonin me një kosto prej një euro për votë. Dhe sikur të mos mjaftonte, mes pjesëmarrësve ishte planifikuar edhe një short për dy bileta për ceremoninë e “Topit të Artë” në vitin 2027.
Pavarësisht këtij rezultati të veçantë, karriera e Ronaldos mbetet padyshim një nga më të suksesshmet në historinë e futbollit. Portugezi fitoi “Topin e Artë” të parë në 2008 me fanellën e Manchester United, përpara se të triumfonte sërish në 2013, 2014, 2016 dhe 2017, gjatë kohës së tij te Real Madrid. Pesë herë fitues i “Topit të Artë”, kampioni i padiskutueshëm i votimit BOAT, plus ai vendi i tretë... Çfarë mendoni ju, a e meritoi Ronaldo këtë çmim?
