Ernest Muçi po ‘çmend’ Turqinë: Shifrat e tij te Trabzonspor lënë pa fjalë!

Ernest Muçi po bën namin në Turqi! Futbollisti i talentuar shqiptar, mesfushor sulmues i Kombëtares, po kalon një periudhë fantastike te Trabzonspor, ku me 46 ndeshje, 17 gola dhe 15 asiste, ka treguar qartë impaktin e tij të çmendur në skuadër. Në total, ai ka kontribuar direkt në 32 gola – një shifër për t’u duartrokitur, pa diskutim!
Statistikat, të cilat janë nxjerrë në pah nga media turke Sabah Spor, tregojnë një ndryshim të madh në performancën e Muçit, krahasuar me kohën kur luante te Beşiktaşi. Epo, mesa duket, Muçi e ka gjetur vendin e tij dhe po konfirmon veten si një nga lojtarët më vendimtarë të klubit.
Nëse i hedhim një sy krahasimit, diferenca është thjesht qiell e tokë. Me klubin e Stambollit, Muçi ka luajtur 61 ndeshje, por ka shënuar vetëm 11 gola dhe ka dhënë katër asiste, duke kontribuar në total në 15 gola.
Te Trabzonspor, jo vetëm që ka kontribuar në më shumë se dyfishin e golave, por këtë e ka arritur në 15 ndeshje më pak! Mesatarja e tij ka shkuar në qiell, duke treguar një efikasitet shumë më të madh në lojën sulmuese.
