Ernest Muçi, ylli i ndeshjes: Tre asiste në një ndeshje në Turqi!

Ernest Muçi ishte figura kryesore në fitoren spektakolare 4-3 të Trabzonspor kundër Rizespor, Pavarësisht se emri i tij nuk u shfaq në listën e shënuesve, fantazisti kuqezi dhuroi tre asiste dhe u bë lojtari i parë këtë sezon në Süper Ligën Turke që regjistron një statistikë të tillë në një ndeshje të vetme.
Paraqitja e sulmuesit shqiptar në këtë duel mes Trabzonspor dhe Rizespor ishte vërtet mbresëlënëse. Kontributi i tij ishte thelbësor për suksesin e ekipit, duke krijuar tre gola dhe duke tërhequr vëmendjen e mediave turke, të cilat e lavdëruan kontributin e futbollistit tonë.
Përtej asisteve, Muçi dëshmoi se ishte në formë të shkëlqyer. Sipas statistikave të publikuara pas ndeshjes, ish-lojtari i Tiranës realizoi edhe katër pasime kyçe dhe goditi dy herë në portë nga tre tentativa gjithsej. Gjithashtu, ai spikati edhe në duelet individuale, duke fituar nëntë nga 15 të tilla, një statistikë që shënon rekordin e tij personal prej se ka nisur të luajë në futbollin turk.
Ndikimi i tij në fazën sulmuese ishte i padiskutueshëm: preku topin dhjetë herë brenda zonës kundërshtare dhe fitoi tre nga katër tentativat e tij për driblime. A mund të quash këtë thjesht një ditë të mirë në punë, apo duhet ta quajmë MVP-në e padiskutueshëm?
