Brad Pitt rikthehet me një film që na kthen pas në kohë: 'Connector' për 2027!

Aktori i njohur Brad Pitt do të jetë protagonist dhe producent në filmin e ri "Connector". Ky projekt shënon rikthimin e regjisorit Darius Marder në realizimin e një filmi artistik, gjashtë vjet pas suksesit të tij me filmin fitues të çmimit "Oscar", "Sound of Metal".
Filmi do të zhvillohet në New Yorkun e viteve '70 dhe do të tregojë historinë e një punëtori, montues të strukturave prej hekuri, i cili punon në lartësi dhe që sfidon forca shumë më të mëdha se vetja. Skenari është shkruar nga Darius Marder dhe motra e tij, Nina Marder, bazuar në një histori të Derek Cianfrance.
Pitt do të jetë gjithashtu producent përmes kompanisë së tij "Plan B", së bashku me Dede Gardner dhe Jeremy Kleiner. Me sa duket, aktori e ka pëlqyer aq shumë versionin e fundit të skenarit, saqë dëshiron që "Connector" të jetë projekti i tij i radhës për vitin 2027. Filmi do të realizohet nga "Apple Original Films", me të cilën "Plan B" ka bashkëpunuar edhe më parë në projekte filmike si "F1" dhe "Wolfs".
Ndërkohë, Brad-i ka folur edhe për ndikimin e platformave të transmetimit në industrinë e filmit, duke theksuar se ato u kanë krijuar më shumë mundësi produksioneve të pavarura. Sipas tij, situata e filmave të pavarur sot është po aq e mirë sa në vitet ’90, e këtë e tha në Festivalin e Filmit në San Sebastian të Spanjës.
Aktori ka treguar se e vlerëson shumë mundësinë që platformat online u japin artistëve për të realizuar projekte më të guximshme, të cilat studiot e mëdha ndonjëherë hezitojnë t’i financojnë. "Përmes platformave të transmetimit, artistët kanë më shumë liri për të rrezikuar. Jam mirënjohës për këtë", ka deklaruar Pitt. Ai ka shtuar se industria e filmit duhet të përshtatet me teknologjitë e reja, në vend që të mbetet e lidhur me të kaluarën.
Në fund, për Pittin, realizimi i një filmi është mbi të gjitha punë në grup. Ai theksoi se, në fund të fundit, gjithçka është punë ekipi.
