Borat ka qenë gati të jetë shqiptar? Sacha Baron Cohen tregon të vërtetën!

Imagjinoni pak këtë skenar: Borat, ai personazhi ikonik, mund të kishte qenë... shqiptar! Po, po, e lexuat mirë dhe nuk po ju bëjmë shaka. Aktori dhe komediani britanik Sacha Baron Cohen, mjeshtri i këtij fenomeni që na ka bërë të qeshim me lot dhe të ndihemi pak... në siklet, ka bërë një zbulim që na ka lënë me gojë hapur.
Gjatë një interviste në podkastin "Happy Sad Confused", Cohen zbuloi se në versionet e para të karakterit të Boratit, që ai po zhvillonte për BBC-në, personazhi do të ishte pikërisht nga Shqipëria dhe madje kishte një emër tjetër. Kombësia e Boratit ndryshonte varësisht nga stacioni televiziv me të cilin punonte aktori. Në fund, personazhi u lidh me Kazakistanin.
Por jo vetëm kaq! Cohen ka shfrytëzuar këtë rast për të kërkuar falje publike për herë të parë ndaj qytetarëve të Kazakistanit. Ai pranoi se mënyra sesi vendi i tyre u portretizua përmes Boratit nuk kishte asnjë lidhje reale me ta. Aktori shprehu respekt të thellë për njerëzit dhe kulturën kazake, duke theksuar se as pamja dhe as theksi i Boratit nuk i përfaqësonin ata.
Cohen shpjegoi se qëllimi i tij me këtë karakter ishte të nxirrte në pah paragjykimet dhe mungesën e njohurive të njerëzve me të cilët ai ndërvepronte. Sipas tij, njerëzit besonin histori absurde për një vend që nuk e njihnin.
Ky detaj unik nga prapaskenat e krijimit të një prej personazheve më të famshëm të Sacha Baron Cohen-it na shtyn të mendojmë: sa afër ishim ne të bëheshim "Boratland"? Imagjinoni sikur Borati të fliste shqip, çfarë batutash do kishim dëgjuar dhe cilat aspekte të kulturës sonë do të ishin vënë në lojë? Po ju, çfarë mendoni, do të qeshnim po aq shumë me një Borat shqiptar, apo do të ndiheshim pak... të prekur?
