Si ta kthesh sallonin në një copë revistë luksi? 5 truke që s'dinim!

Salloni? Ai është mbreti i shtëpisë, vendi ku shkrihemi pas një dite të gjatë dhe ku presim shoqërinë për një kafe plot thashetheme, por edhe kalojmë ato çaste të përditshme që mbeten në mendje. S'ke pse bën ndryshime rrënjësore apo të shpenzosh një pasuri të tërë për ta rifreskuar. Me disa lëvizje inteligjente mund t'i japësh një estetikë krejtësisht të re, duke e bërë të duket më i ngrohtë, më modern dhe shumë më i kuruar.
E para: Ndriçimi, magjia e vërtetë!
Harroje atë dritën e vetme, të fortë në mes të tavanit që të bën të ndihesh si në një intervistë policie. Salloni meriton më shumë dramë... dhe dritë të butë! Kombinimi i llambave të tavolinës, atyre të dyshemesë dhe ndriçimit të ambientit është çelësi. Jo vetëm që krijon thellësi, por e bën hapësirën të ndihet kaq ngrohtë, saqë s'do duash të largohesh kurrë prej andej. Një dritë e mirë është gjysma e punës!
E dyta: Ngjyrat, po ato që i japin jetë!
Tonet neutrale funksionojnë gjithmonë si bazë – janë si bluza e bardhë, s'të zhgënjejnë kurrë. Po ama, kush ka qejf sallon si zyrë avokati? Ca prekje të vogla ngjyre te jastëkët, mbulesat apo objektet dekorative mund ta ndryshojnë komplet stilin. Nuk duhet të bësh si piktore me të gjitha ngjyrat, por të gjesh balancën e duhur. Një ngjyrë e theksuar këtu, një atje dhe ja ku e ke, salloni flet!
E treta: Bimët, shoqet më të mira të një salloni cool!
Bimët e shtëpisë i japin një gjallëri dhe freski që s'e imagjinon dot. Një element i vogël i gjelbër në një cep ose mbi një tavolinë mund ta bëjë hapësirën tënde të duket më “e gjallë” dhe mikpritëse. Pse të mos e kthesh sallonin në një xhungël të vogël urbane? Pak gjelbërim s'i ka bërë keq askujt.
E katërta: Rregulli, armiku i kaosit!
Rregulli luan një rol TË MADH në estetikë. Shmang overloard-in me objekte dhe mbaj vetëm ato që kanë vërtet vlerë apo funksionalitet. Një hapësirë më “e pastër” duket automatikisht më e bukur. Fundja, kujt i pëlqen të shkelë mbi libra dhe telekomanda kur pi kafen e mëngjesit? Pastërtia është gjysma e shëndetit… dhe e bukurisë së sallonit!
E pesta: Prekja jote personale, thelbi i gjithçkaje!
Salloni yt duhet të tregojë diçka për TY. Fotografi, vepra arti, suvenire udhëtimesh, apo objekte të vogla me vlerë sentimentale i japin karakter dhe e bëjnë hapësirën unike. Mos e kthe sallonin në dhomë hoteli, aman! Duhet të flasë për shijet, udhëtimet dhe historitë e tua. Kështu, do kesh një sallon jo vetëm të bukur, por që tregon edhe kush je!
Me këto pesë lëvizje të thjeshta, por thelbësore, mund ta transformosh sallonin tënd pa ekzagjerime, duke i dhënë një estetikë që kombinon komoditetin, stilin dhe personalitetin. Tashmë, a jeni gati për t'i bërë xhelozë të gjithë me sallonin tuaj të ri, apo do e lini ende si magazinë?
