Sacha Baron Cohen na shqetëson: Bota ka shkuar dëm, ekstremizmi po bëhet normal!

Aktori i njohur, Sacha Baron Cohen, është seriozisht i shqetësuar për drejtimin ku ka marrë shoqëria sot. Komediani, që së fundmi "ringjalli" personazhin ikonik të Ali G-së me filmin e ri "Ali G: Who Iz I?", po e shpreh këtë shqetësim përmes artit të tij. Ai thotë se dëshiron të tregojë ekstremizmin e të dyja anëve të këndvështrimit politik dhe rrezikun e dhunës së madhe.
Në një intervistë, Cohen shpjegoi se personazhi i vjetër dhe problematik i Ali G-së ishte pikërisht arsyeja pse u rikthye. Për të, bota ku po kthehet Ali G-ja, "në shumë mënyra, është shumë më e keqe se ajo në të cilën ka qenë para 20 vjetësh". Pra, imagjinoni, nëse Ali G-ja vetë e sheh botën më keq, ne ç'të themi?!
Sipas Baron Cohen, ngjarjet që personazhet e tij janë krijuar të paraqesin jo vetëm kanë vazhduar gjatë, por kanë "metastazuar". Sipas tij, ngjarjet janë nxitur tej mase nga propaganda, rrjetet sociale dhe tani nga inteligjenca artificiale.
Aktori shtoi se sjelljet fanatike, të cilat dikur ndoshta ishin të fshehura, janë bërë "rrjedhë e përgjithshme" e përditshmërisë. Ai kujtoi kohën kur krijoi Boratin, kur i deshën pak minuta për të nxjerrë në pah racizmin që lundronte nën sipërfaqe.
Tashmë, ai thotë se këto sjellje janë bërë pjesë e jetës së përditshme. Për shembull, përmend fyerjet që fansat u bëjnë të famshmëve dhe abuzimin e lojtarëve afroamerikanë në Kupën e Botës, apo marshimin e qindra nacionalistëve nëpër rrugët e Washingtonit më 4 korrik. E ke parasysh, kur Sacha Baron Cohen shpreh shqetësim, duhet ta marrim seriozisht.
Filmi i ri i Baron Cohen është shkruar me ndihmën e shokut të tij të vjetër, Dan Mazer, i cili e ka vlerësuar komedianin duke thënë se është “Michael Jordani i satirës”. Mazer e krahasoi aktorin me lojtarin më të mirë të basketbollit. Por, a do të mjaftojë komedia e tij për të na hapur sytë, apo e kemi humbur plotësisht busullën?
