Dua Lipa dhe Callum Turner: Sekretet e dasmës së tyre “magjike” dhe jeta mes glamit e shëtitjeve sportive!

Dua Lipa dhe Callum Turner janë gjithmonë në qendër të vëmendjes, edhe kur nuk bëjnë asgjë. Këtë javë, çifti u pa duke shëtitur qetësisht në New York, duke shijuar pak kohë larg angazhimeve të punës dhe mediave. Nuk ishin veshur me fustane ekstravagante, por me veshje sportive. Më saktë, të mërkurën, i panë duke shëtitur qenin e tyre, Golo-n, një përzierje Labradori dhe Rottweiler-i.
Dua, 31 vjeçe, kishte zgjedhur një pallto të gjerë gri, të kombinuar me streçe, çorape të bardha dhe atlete të zeza. Nuk mungonin syzet e errëta, ndërsa flokët i kishte lënë lëshuar. Callum, 36 vjeç, kishte zgjedhur një bluzë blu me zinxhir, pantallona sportive dhe atlete. Të dy dukeshin super të relaksuar, duke shijuar thjesht një moment normal nga jeta e tyre si bashkëshortë. Dhe pse jo, edhe VIP-at bëjnë jetë normale!
Por, mos mendoni se kjo është jeta e tyre përditshme. Vetëm dy ditë para kësaj shëtitjeje "alla-tuta", çifti kishte shkëlqyer në një nga eventet më prestigjioze kulturore të New York-ut. Të hënën në mbrëmje, Dua Lipa dhe Callum Turner ishin në galanë e hapjes së sezonit të Metropolitan Opera. Atje, pa diskutim, dukeshin si mbretër!
Ata mbërritën dorë për dore, gati për të ndjekur shfaqjen Lincoln in the Bardo, një mbrëmje ku ishin të pranishëm edhe plot personazhe të tjerë të njohur. Dua ra në sy me një fustan elegant të zi nga marka Ferragamo, pjesë e koleksionit Pranverë 2027, dizajnuar nga Maximilian Davis. Fustani i gjatë, me elemente që reflektonin dritën, kishte një të çarë anësore dhe mëngë që zbulonin supet. Ajo e kishte plotësuar look-un me këpucë të zeza me taka dhe majë. Callum, nga ana e tij, preferoi të mos pozonte në tapetin e kuq, por u shfaq me një kostum klasik të zi. Dhe po, dukeshin për t'u pasur zili.
Pas kaq shumë dinamike, nga casual tek glam, natyrisht që na lind pyetja: si e menaxhon Dua jetën e saj? Dhe më e rëndësishmja, si e bëri ajo dasmën e saj kaq të veçantë? Së fundmi, në një intervistë për revistën Vogue Italia, Dua Lipa zbuloi disa detaje të çmuara nga martesa e saj me Callum Turner, duke ndarë kujtimet më të bukura të ceremonisë. Na intereson si ka vepruar!
Fillimisht, çifti bëri ceremoninë civile në Marylebone Town Hall në Londër, në maj. Ishin aty vetëm familjarët dhe miqtë e ngushtë. Një javë më vonë, udhëtuan drejt Italisë për dasmën e madhe, ku morën pjesë emra të njohur të muzikës, modës dhe kinemasë. Dua rrëfeu se kishin marrë shumë këshilla, por kishin vendosur të ndiqnin vetëm dy, për të bërë ditën e tyre “magjike”.
Dita e dasmës sonë ishte magjike, tha Dua. Moruam shumë këshilla, por vendosëm të ndjekim vetëm dy prej tyre: ta përjetojmë ditën sikur të ishim mysafirë dhe të kërkonim vazhdimisht njëri-tjetrin mes njerëzve, pa humbur kurrë shikimin nga njëri-tjetri. Kjo është ajo çfarë i ka ndihmuar ata të krijojnë kaq shumë kujtime bashkë. Pra, nëse po planifikoni dasmën, mos harroni: jini mysafirë në festën tuaj dhe mos e humbisni partnerin nga sytë! E thjeshtë, por gjeniale!
Artistja shqiptare foli gjithashtu se si arrin të balancojë karrierën ndërkombëtare me jetën personale. Dua theksoi se kurrë nuk i ka lënë mënjanë ambiciet e saj profesionale dhe ndihet me fat që ka një partner si Callum, i cili e kupton rëndësinë e punës dhe kreativitetit. Jam shumë e mirë në gjetjen e ekuilibrit mes punës, pasioneve dhe familjes. Nuk i kam vënë kurrë ambiciet mënjanë dhe jam me fat që jam me dikë që e do punën po aq sa unë, deklaroi ajo. Këtu e kuptuam pse funksionojnë kaq mirë!
Sipas këngëtares, mirëkuptimi i ndërsjellë dhe mbështetja janë elementët më të rëndësishëm të marrëdhënies së tyre. Kuptojmë dhe mbështesim njëri-tjetrin. Për mua, ai është familje. Kemi një gjuhë kreative të veçantë. Kur marrim vendime bashkë, është sikur kemi të njëjtin mendim, sepse ndjekim të njëjtat instinkte, shtoi Dua. Kjo tingëllon fiks si një marrëdhënie e shëndetshme, pa drama kot!
Përveç jetës së martuar, Dua Lipa foli edhe për ndikimin që lumturia personale mund të ketë në kreativitetin e saj muzikor. Ajo pranoi se në të kaluarën shumë prej këngëve të saj janë frymëzuar nga ndarjet dhe zhgënjimet sentimentale. Është më e lehtë të shkruash këngë dashurie kur ke zemrën e thyer, sepse dhimbja e ndarjes është një emocion shumë i fuqishëm dhe intensiv, shpjegoi Dua.
Por tani që po kalon një periudhë të lumtur në martesën e saj, ajo dëshiron të eksplorojë një dimension tjetër të dashurisë përmes muzikës. Por tani dua të zbuloj se çfarë ndodh kur e gjen vërtet dashurinë. Më interesojnë ndërlikimet e një marrëdhënieje, momentet e qeta dhe gjërat e vogla, shtoi ajo. Kjo tregon që albumi i saj i ardhshëm mund të jetë një hymn për dashurinë e vërtetë, jo vetëm për dhimbjen! Dhe mezi po presim ta dëgjojmë!
Dua Lipa dhe Callum Turner vazhdojnë të ndajnë kohën mes angazhimeve profesionale dhe jetës së tyre bashkëshortore, duke ruajtur edhe momente private larg syrit të publikut. Kjo dalje e tyre e fundit në New York ishte një tjetër shije e jetës së përditshme të çiftit, të cilët duket se po e shijojnë plotësisht këtë kapitull të ri të jetës së martuar.
