Një martesë e fshehtë ndezi “luftën” mes motrave Kardashian

Kourtney Kardashian ka sjellë sërish në vëmendje një nga konfliktet më epike me motrën e saj, Kim Kardashian, një dramë që ka zënë fill kur zbuloi martesën e fshehtë të Kim, në moshën 19-vjeçare. Kështu na e ka risjellë në episodin më të fundit të reality show-t “The Kardashians”, duke na lënë të kuptojmë që disa gjëra nuk harrohen kollaj.
Kourtney tregoi se kishin kaluar katër javë pa komunikuar fare me Kimin, pasi kjo e fundit e kishte fajësuar se po i shkatërronte jetën. Epo, drama në familjen Kardashian nuk njeh moshë, as kohë, apo jo? Sipas rrëfimit të saj, gjithçka nisi kur Kourtney mësoi nga miqtë për martesën sekrete të Kim dhe vendosi t’ia tregonte nënës së tyre, Kris Jenner, sepse mendonte se ajo duhej ta dinte të vërtetën. Madje, Kourtney kishte dëgjuar edhe vetë urime për martesën e së motrës, kështu që s'kishte pse ta fshehte më.
Kim, natyrisht, reagoi ashprët ndaj këtij veprimi, duke i thënë Kourtneyt fiks kështu: “Po ma shkatërron jetën”. Si duket, çdo gjë sekrete tek ato, është një bombë e gatshme për të shpërthyer.
Por për kë po flasim? Bëhet fjalë për martesën e Kim Kardashian me producentin muzikor Damon Thomas, i cili ishte 29 vjeç në atë kohë. Ata u martuan në Las Vegas në vitin 2000, një lidhje që përfundoi ligjërisht në vitin 2004. Pas kësaj, Kim u martua me basketbollistin Kris Humphries në vitin 2011, por historia e tyre zgjati vetëm 72 ditë. Më pas, në vitin 2014, ajo kurorëzoi dashurinë me reperin Kanye West, me të cilin ka katër fëmijë, para se të kërkonte divorcin në vitin 2021. Aktualisht, Kim është në një lidhje me pilotin e Formula 1, Lewis Hamilton.
Por kjo nuk ishte përplasja e parë mes motrave. Këto “lufra” mes tyre kanë qenë shpesh në qendër të vëmendjes së mediave. Mjafton të kujtojmë vitin 2018, kur Kim e cilësoi Kourtneyn si motrën “më pak interesante për t’u parë”, pas një debati për orarin e punës. Apo vitin 2020, kur tensionet u përshkallëzuan deri në përleshje fizike para kamerave, pasi Kim akuzoi motrën se nuk angazhohej aq shumë sa pjesa tjetër e familjes. Si duket, disa gjëra thjesht nuk shlyhen tek to, apo jo?
