Dua Lipa dhe Callum Turner, gjithë shkëlqim në New York: Nga detajet e dasmës te frymëzimi i ri muzikor

Dua Lipa ka tërhequr gjithë vëmendjen me një paraqitje elegante dhe plot shkëlqim në mbrëmjen gala të hapjes së sezonit të Metropolitan Opera në New York, duke u shfaqur përkrah bashkëshortit të saj, aktorit britanik Callum Turner.
Dua Lipa, këngëtarja e famshme shqiptare, dhe aktori britanik Callum Turner janë martuar këtë vit, duke bërë që jeta e tyre bashkëshortore të jetë në qendër të vëmendjes dhe fansat të jenë sy e vesh për çdo detaj.
Elegancë dhe art në zemër të New York-ut
Çifti ishte ndër ata që shkëlqyen më shumë të hënën në mbrëmjen gala të New Yorkut, teksa mbërritën dorë për dore për premierën e operës “Lincoln in the Bardo”. Dua, si gjithmonë, zgjodhi një fustan që bëri “boom”: një krijim i zi elegant nga shtëpia italiane e modës Ferragamo, pjesë e koleksionit pranverë 2027. Fustani vezullues kishte një të çarë të theksuar anash dhe mëngë të lëshuara mbi supe, duke kombinuar elegancën klasike me një stil super modern dhe të guximshëm. Flokët e zinj i kishte krehur prapa dhe pamjen e kompletoi me këpucë me taka të larta, gjithashtu nga Ferragamo. Ndërsa Callum zgjodhi një kostum klasik të zi dhe këpucë elegante. Ai nuk mori pjesë në parakalimin zyrtar në tapetin e kuq, por e shoqëroi bashkëshorten gjatë gjithë mbrëmjes, sigurisht!
Ngjarja shënoi hapjen e sezonit me produksionin “Lincoln in the Bardo”, bazuar në romanin e George Saunders. Dua Lipa foli me pasion për lidhjen e saj me operën dhe fuqinë emocionale të saj, duke theksuar se opera “prek të gjitha emocionet tona njerëzore: dashurinë, pikëllimin, humbjen, ambicien, shpresën dhe të gjitha ato ndjenja që e bëjnë kaq të veçantë”. Ajo shtoi se duhet thjesht t’i dorëzohesh asaj përvoje. Interesimi i saj për operën nuk është diçka e re, pasi muajin e kaluar kishte ndjekur edhe operën “La Traviata” në “Teatro alla Scala” në Milano. Në këtë ngjarje prestigjioze morën pjesë edhe emra të tjerë të njohur si Amy Poehler dhe Kate Walsh.
Nga ceremonia sekrete te festa madhështore
Përveç shkëlqimit në evenimente, Dua dhe Callum vazhdojnë të tërheqin vëmendje edhe me jetën e tyre personale. Në fillim të këtij muaji, u fotografuan duke shëtitur në New York me qenin e tyre Golo, një përzierje Rottweiler dhe Labrador, duke shijuar kafenë dhe duke ecur dorë për dore. Çifti u martua këtë vit, me një ceremoni ligjore në maj në Marylebone Town Hall në Londër. Vetëm një javë më vonë, ata udhëtuan në Itali për një dasmë më të madhe me familjarë dhe miq. Në një intervistë për “Vogue Italia”, Dua e përshkroi ditën e martesës si magjike.
Duke kujtuar dasmën, Dua tregoi se kishin marrë shumë këshilla, por vendosën të ndiqnin vetëm dy: ta përjetonin ditën si të ishin mysafirë dhe “ta kërkonim njëri-tjetrin mes njerëzve, pa e humbur kurrë njëri-tjetrin nga sytë”. Kjo zgjedhje i ndihmoi të shijonin dasmën pa u shpërqendruar nga organizimi, duke krijuar shumë kujtime të përbashkëta. E rëndësishme ishte që dita e martesës të ishte një festë e vërtetë e dashurisë së tyre, jo vetëm përshëndetje me të ftuarit.
Karriera dhe dashuria: Si i balancojnë të dy?
Dua Lipa, një nga artistet më të suksesshme të muzikës pop, foli gjithashtu për balancën mes angazhimeve profesionale dhe jetës personale. Ajo tha se është shumë e mirë në gjetjen e ekuilibrit mes punës, hobeve dhe familjes. Këngëtarja theksoi se martesa nuk e ka ndryshuar ambicien e saj profesionale. “Nuk i kam lënë kurrë mënjanë ambiciet e mia dhe jam me fat që jam me dikë që e do punën po aq sa unë. Ne e kuptojmë dhe e mbështesim njëri-tjetrin.”
Për Duën, një nga sekretet e marrëdhënies me Callum është se të dy kuptojnë botën krijuese. Për të, Callum është familje, dhe thotë se kur marrin vendime së bashku është sikur kanë të njëjtin tru. Lumturia në martesë mund të ndikojë edhe në muzikën e saj. Edhe pse ka shkruar shumë për zemra të thyera, tani Dua është në një fazë të re emocionale. “Tani dua të zbuloj çfarë ndodh kur e gjen vërtet dashurinë. Më interesojnë ndërlik...” – e sigurt që kjo ka për të sjellë diçka të re, mezi presim!
A do të na sjellë kjo dashuri e re një Dua Lipa më romantike në skenë, apo do na befasojë prapë me ndonjë hit tjetër që na çmend pas ritmit?
