Mohamed Hadid fejohet sërish: A është mosha vërtet vetëm një numër për babain e Gigi dhe Bella Hadid?!

Mohamed Hadid, babai i supermodeleve Gigi dhe Bella Hadid, është një figurë që shpeshherë bën bujë, por këtë herë e ka tejkaluar veten!
Biznesmeni 79-vjeçar është fejuar me partneren e tij, Keni Silva, 43 vjeçe, duke bërë që diferenca e moshës mes tyre të jetë plot 36 vjet! Epo, kush tha që dashuria nuk njeh moshë?
Një propozim surprizë dhe një mesazh i fortë
Lajmi i gëzueshëm u bë publik më 13 nëntor, gjatë ballos së parë të revistës “Vogue Arabia” në Dubai. Hadid ia propozoi martesën në restorantin “The Polo Lounge” në Los Angeles. Propozimi ishte surprizë për Silvan, e cila kishte menduar se po shkonin për të festuar një sukses të saj profesional.
Keni Silva tha se dashuria nuk ka afat skadimi, ashtu siç nuk kanë as ëndrrat e tyre. Ajo shtoi se me këtë fejesë dëshirojnë t’u përcjellin një mesazh gruve që kanë kaluar nëpër një divorc: “Duam t’u kujtojmë grave se historia e tyre nuk përfundon me një divorc.” Go, Keni!
Çfarë pëlqejnë tek njëri-tjetri?
Mohamed Hadid nuk i fshehu ndjenjat për partneren e tij, duke treguar se e ka tërhequr thjeshtësia e Keni-t, dashuria për jetën dhe për fëmijët. “rashë në dashuri me të pothuajse menjëherë, sapo e njoha më mirë”, u shpreh biznesmeni. Epo, kush nuk do të donte të dëgjonte këto fjalë, apo?
Nga ana e saj, Silva theksoi mirësinë, pasionin dhe bujarinë e të fejuarit, por mbi të gjitha faktin që ai e bën gjithmonë të qeshë. Ajo vlerëson shumë mbështetjen që ai i jep ambicieve të saj, duke e inkurajuar të jetë vetvetja dhe të ndjekë ëndrrat. Si duket, zotëria ka edhe anën e tij romantike, përtej pasurisë.
Kush është Keni Silva dhe historitë e Mohamed Hadid
Keni Silva, 43 vjeçe, është modele me origjinë ruse, autore dhe këshilltare e certifikuar për persona në proces divorci. Dhe po, e kemi parë edhe në reality show-n “The Real Housewives of Orange County”. Nga një martesë e mëparshme me një burrë 30 vjet më të madh, ajo ka dy fëmijë, vajzën Alexis, 18 vjeçe, dhe djalin Joshua, 14 vjeç. Duket se diferenca në moshë nuk është diçka e re për të.
Lidhja e tyre nisi të përflitej në vitin 2023, dhe natyrisht, diferenca e madhe në moshë nuk i ka shpëtuar syrit të mediave. Silva, e cila më herët i ka komentuar kritikat, tha se për të dashuria nuk ka të bëjë me moshën. Epo, shpirti i ri i shpëton moshës, si duket!
Për Mohamed Hadidin, kjo do të jetë martesa e tretë. Ai ka qenë i martuar me Mary Butler dhe më pas me ish-modelen Yolanda Hadid, nënën e supermodeleve Gigi dhe Bella, si dhe djalit Anwar. Gjithashtu, ai ka edhe vajza të tjera, Marielle, Alana dhe Aydan, nga lidhje të ndryshme. Para Keni Silvës, ai ishte fejuar me modelen dhe yllin televiziv Shiva Safai, por marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 2019. Duket që babai i Hadideve nuk ndalet kurrë, si në biznes ashtu edhe në dashuri.
Megjithatë, çifti ka bërë të ditur se nuk do të nxitojë me organizimin e dasmës. Kohë ka, le të shijojnë fejesën. Fundja, pse të vraposh kur dashuria nuk ka afat skadence? Ç'thoni ju, është mosha vetëm një numër, apo ka limit edhe aty?
