Leg day në shtëpi? Mjaftojnë vetëm katër ushtrime!

Nuk të duhet të kalosh orë të tëra në palestër për të shtuar më shumë lëvizje në përditshmëri. Një "leg day" që mund ta bësh në shtëpi, pa asnjë pajisje shtesë, dhe pa harxhuar shumë kohë. Mjafton vetëm pak hapësirë, pak vullnet dhe 20-25 minuta nga koha jote!
Ky "leg day" pa pajisje mund të bëhet zakoni yt i ri i preferuar. Nuk të duhen pesha apo ushtrime super të komplikuara për të filluar. E rëndësishme është të bësh lëvizjet saktë, të zgjedhësh intensitetin që të përshtatet dhe t'i japësh trupit kohë të përshtatet. Edhe nëse je fillestare, apo thjesht do të shtosh një stërvitje të shkurtër në programin javor, këto ushtrime do të të ndihmojnë të punosh grupet kryesore të muskujve të këmbëve, si kofshët (quadriceps), prapakofshët (hamstrings) dhe të pasmet (glute). Dhe para se të fillosh, mos harro nxehjen! Mjaftojnë 3-5 minuta me ecje në vend, rrotullime të ijeve dhe ca ulje të lehta.
Katër ushtrimet që transformojnë këmbët e të pasmet
1. Squats (Uljet e thella)
Këto janë ushtrimet më të njohura për pjesën e poshtme të trupit, pasi aktivizojnë në maksimum kofshët dhe të pasmet. Programi? Tre seri me 12 përsëritje. Këshilla e artë: mos u ulni më poshtë se sa ju lejon lëvizja e rehatshme dhe e kontrolluar. Nëse je fillestare, mund të provosh t'i bësh uljet drejt një karrigeje të qëndrueshme, për siguri maksimale!
2. Reverse Lunges (Hapat prapa)
Një super zgjedhje për të punuar çdo këmbë veçmas dhe për të forcuar ekuilibrin. Programi? Tre seri me 8-10 përsëritje për çdo këmbë. Këshilla e MAD-it: nëse ke probleme me ekuilibrin, gjej një sipërfaqe të qëndrueshme për t'u mbajtur. S'ka turp fare!
3. Glute Bridges (Ngritja e legenit)
Nëse do një ushtrim të pasmesh që bëhet pa stres, ky është zgjedhja jote! Kryhet në dysheme dhe është super i thjeshtë. Programi? Tre seri me 15 përsëritje. Sekreti? Fokusohu te kontrolli i lëvizjes, jo te ngritja e legenit sa më lart. Të pasmet do të të falënderojnë!
4. Sumo Squats (Uljet sumo)
Këto bëhen me këmbë më të hapura dhe janë perfekte për programin e pjesës së poshtme të trupit. Programi? Dy deri në tre seri me 12 përsëritje. Këshillë: Përshtate hapjen e këmbëve sipas rehatisë tënde. S'ka nevojë të sforcosh kyçet, se nuk jemi në olimpiadë!
Mos harro këshillat e arta për rezultate maksimale!
Nëse sapo ke filluar, një ose dy stërvitje për pjesën e poshtme të trupit në javë janë një pikënisje super e mirë, varësisht nga gjendja jote fizike dhe programi. Lëri kohë trupit të rikuperohet mes stërvitjeve të lodhshme të të njëjtave grupe muskujsh dhe shto vështirësinë gradualisht, kur të ndihesh gati. Mos harro, rezultatet nuk varen vetëm nga ushtrimet. Konsistenca, pushimi i mjaftueshëm, një dietë e balancuar dhe rritja graduale e ngarkesës luajnë një rol super të rëndësishëm.
Nëse ke ndonjë dëmtim, dhimbje apo gjendje që ndikon te lëvizja, konsulta me një profesionist shëndetësor është e domosdoshme para se të fillosh një program të ri. Dhe gjatë ushtrimit, ndalo menjëherë nëse ndjen dhimbje të fortë, marrje mendsh ose ndonjë parehati të pazakontë. Më e rëndësishmja? S'ka nevojë të kesh rutinën perfekte nga dita e parë. Fillo me nivelin që të përshtatet, jepi kohë trupit tënd dhe gjej një mënyrë stërvitjeje që mund ta shijosh dhe ta mbash në afat të gjatë.
