“Godzilla Minus Zero”: reaksionet e para po shpërthejnë rrjetet!

Bisha është rikthyer, dhe këtë herë është më e tërbuar se kurrë! “Godzilla Minus Zero”, vazhdimi i filmit të vlerësuar nga kritika dhe fitues i çmimit Oscar, “Godzilla Minus One”, pati disa shfaqje këtë javë për shtypin, dhe reagimet e para kanë vërshuar në rrjetet sociale. Verdikti? Duket se kemi sërish një sukses gjigant, me përmasa kaiju, në duart tona. Filmi do të shfaqet në kinematë e Japonisë më 3 nëntor dhe në Amerikën e Veriut më 6 nëntor.
“Godzilla Minus Zero” është shkruar dhe drejtuar nga Takashi Yamazaki, i cili drejtoi edhe epikën e vitit 2023, “Godzilla Minus One”. Ky i fundit, me një buxhet prej 15 milionë dollarësh, arriti të fitonte mbi 100 milionë dollarë në arkat botërore dhe mori një Oscar për efektet vizuale më të mira në vitin 2024. Ky sukses i madh ka krijuar pritshmëri të jashtëzakonshme për “Minus Zero”, dhe duket se filmi i ka kaluar të gjitha.
Edhe pse premiera e tij botërore u mbajt në Festivalin e Filmit në Nju Jork më 26 shtator, studioja legjendare japoneze Toho organizoi më shumë shfaqje shtypi këtë javë për “Godzilla Minus Zero” para galasë së filmit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio, më 1 nëntor.
Historia e tmerrit dhe shpresës
Sinopsisi i filmit, i dhënë nga Toho, thotë: Lufta e reduktoi Japoninë në zero, dhe Godzilla e fundosi atë në minus. Kanë kaluar dy vjet që atëherë, dhe vendi është përballur me përpjekje të mundimshme për të arritur rimëkëmbjen dhe për të rifituar përfundimisht jetën e tij të përditshme. Pikërisht kur njerëzimi arriti të kapet pas një paqeje të fituar me vështirësi, një kërcënim i ri godet, duke shkatërruar shpresën në një çast. Nuk ka herë të tretë. Gjithçka përfundon këtu. Epo, me këtë përshkrim, si mund të rrimë të qetë?
Një detaj tjetër që e bën këtë film edhe më të veçantë është fakti se “Godzilla Minus Zero” është produksioni i parë japonez i xhiruar tërësisht për IMAX. Kjo vetëm e shton dëshirën për ta parë në ekranin më të madh të mundshëm, se kush do të rrijë pa parë monster-in gjigant në super cilësi?!
Kritikët dhe fansat janë çmendur
David Rooney nga “The Hollywood Reporter” e cilësoi filmin si një “shpërthim radioaktiv” pas premierës në Nju Jork. Në një recension entuziast, Rooney vlerësoi Yamazakin që ia doli të tejkalojë spektaklin e filmit të tij të parë. Përplasja që rezulton me kaiju-n legjendar është një betejë shpërthyese në një film që vazhdon të mahnitë audiencën me aksionin emocionues dhe më pas vazhdimisht e kalon veten në përleshjet që pasojnë, shkruan Rooney. Ai tha se mendon se ka ndalur së marri frymë gjatë një skene të tensionuar në të cilën Godzilla i afrohet një hidroplani që tenton të ngrihet me nxitim.
Në platformat e vlerësimit, “Godzilla Minus Zero” mban aktualisht një rezultat prej 92% në Rotten Tomatoes nga 50 recensione, 78 në Metacritic dhe katër yje në Letterboxd. Këto shifra flasin qartë.
Reagimet në rrjetet sociale janë po aq, në mos më, entuziaste. Dikush shkruante se është filmi më epik që ka parë këtë vit, me sekuenca që të lënë gojëhapur. Një tjetër shton se gjithë masakra e kaiju-ve është spektakolare në IMAX.
Të tjerë theksuan rëndësinë e eksperiencës IMAX. Një tjetër shkruante: E pashë #GodzillaMinusZero mbrëmë. Atje ku Minus One ishte Oppenheimer i filmave Godzilla, Minus Zero është THE DARK KNIGHT. Është emocional. Është intensiv. Dhe NUK zhgënjen me aksionin kaiju. Ndoshta Ghidorah më i mirë i të gjitha kohërave. Eksperienca IMAX e vitit.
Ka edhe ata që theksojnë balancën: filmi fokusohet pak më pak te trauma e pasluftës dhe më shumë te aksioni kaiju, por sërish arrin të balancojë skenat dramatike me përbindëshat.
Nuk mund të themi asgjë tjetër veçse, a jeni gati për të humbur frymën para ekranit të madh?
