Epika e Kreshnikëve, versioni 2.0: Turjan Hysko ringjall “Mujin dhe Halilin” me puthje të parë publike!

Historia ikonike e Epikës së Kreshnikëve po merr jetë sërish, por këtë herë, drejt ekranit të madh dhe me një shije krejt moderne. Produksioni më i ri kinematografik i Turjan Hyskos sjell “Mujin dhe Halilin” në një version bashkëkohor.
Nga traileri i parë, gjuha vizuale duket sikur ka dalë nga një botë e krijuar me teknologjinë më të avancuar të kohës, me mjegull dhe një atmosferë të errët që të fut menjëherë në histori. Por, pas gjithë kësaj pamjeje futuriste, qëndron një rrëfim shumë më i vjetër se vetë kinemaja.
Muji dhe Halili janë dy nga figurat qendrore të Ciklit të Kreshnikëve, dy vëllezër që prej shekujsh janë shndërruar në simbole të trimërisë, besnikërisë, qëndresës dhe lirisë. Muji, vëllai më i madh, njihet si luftëtari i fuqishëm dhe udhëheqësi i Kreshnikëve, ndërsa Halili, më i riu, shfaqet më energjik dhe gjithmonë gati për aventura që shkojnë përtej çdo rreziku.
Dhe ja ku vjen surpriza: në rolin e Mujit do të shohim Capital T, ndërsa pjesë e kastit është edhe Adrola Dushi. Ky dyshe ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për përfshirjen në një projekt kinematografik të kësaj natyre, por edhe sepse filmi shfaq puthjen e tyre të parë publike! Le të jemi të sinqertë, kjo nuk pritej nga Epika e Kreshnikëve, apo jo?
Po ashtu, pjesë e kastit janë edhe Orinda Huta, Armand Peza dhe, sigurisht, vetë Turjan Hysko, si krijuesi i këtij filmi. Një kast yjesh për një histori mitike, ama me rregullat e reja të showbizit shqiptar. Tashmë po presim vetëm filmin, të shohim si do shkojë kjo puthje epike!
