Eli Fara flet pas videove: Turpi është i atyre që i publikojnë, jo i imi

Këngëtarja Eli Fara ka reaguar për herë të parë publikisht pas shpërndarjes së videove intime. Ajo thekson se nuk ndihet aspak e turpëruar, ndërsa ata që shpërndanë dhe publikuan këto pamje duhet të ndihen kështu.
Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenim të privatësisë dhe përballje me gjykime e ofendime që prekin edhe familjen time, shkruan ajo, Fara ngre shqetësimin se gratë shpesh kërkohet të mbajnë turpin për veprime të bëra kundër tyre.
Ajo vazhdon duke shtuar se privatësia u cenohet dhe më pas u kërkohet të japin llogari, duke theksuar se ato lëndohen dhe më pas gjykohen për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë këtë poshtërim.
Eli Fara bën me dije se kjo çështje do t'i lihet drejtësisë. Gjithashtu, ajo i drejton një apel publikut, duke kërkuar "humanitet" dhe ndalimin e shpërndarjes së materialeve që mund të thellojnë dhimbjen e një personi dhe familjes së tij. Para çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni, shkruan ajo.
Në fund të reagimit, këngëtarja falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur publikisht apo privatisht. Dashuria dhe mirëkuptimi i tyre i japin asaj forcë për të ecur përpara me dinjitet dhe me kokën lart.
