Scarlett Johansson e rolin e 'Batman 2': Ankth ekzistencial, jo shaka!

Scarlett Johansson, aktorja dy herë e nominuar për Oscar dhe fytyrë e njohur nga universi i Marvelit, ka treguar se roli i saj në filmin e ardhshëm “The Batman: Part II” nuk ka qenë aspak një shëtitje në park, madje i ka shkaktuar dhe ankth emocional. Ajo e pranon troç që kalimi nga heronjtë plot ngjyra të Marvelit te bota më e thellë dhe melankolike e DC Comics ishte një sfidë e madhe.
“Për disa arsye, ky rol më shkaktoi shumë ankth ekzistencial. Ishte shumë e vështirë për ta kuptuar dhe për të gjetur mënyrën e duhur për ta interpretuar. Nuk e di nëse kjo kishte të bënte me vetë rolin apo me periudhën e jetës në të cilën ndodhem, por ishte vërtet e vështirë. Në shumë aspekte, ishte një rol sfidues”, u shpreh ajo për Entertainment Tonight. Imagjinoni vetë, të jesh Black Widow, e fortë dhe e pathyeshme, e pastaj të duhet të shkosh në Gotham, në botën e Gothamit!
Ndërsa Marveli ka personazhe më “tokësore” me hallet e tyre personale – si Spidermani apo Iron Mani që jetojnë në qytete reale si Nju Jorku – DC Comics është tjetër punë. Aty kemi Supermenin, Betmenin dhe Wonder Woman, heronj mitikë që përfaqësojnë virtyte të larta njerëzore dhe veprojnë në qytete fiktive si Gothami. Pra, ndryshimi është si dita me natën, normale që ka një “shok” kulturor!
Në maj të vitit 2026, Johansson iu bashkua kastit të “The Batman: Part II”, ku ajo do të interpretojë Gilda Dent, bashkëshorten e prokurorit të Gotham City, Harvey Dent. Ky i fundit do të luhet nga Sebastian Stan. Matt Reeves është regjisori që po e drejton këtë aventurë, e cila është vazhdim i filmit “The Batman” të vitit 2022, ku Robert Pattinson rikthehet në rolin e heroit të famshëm. Xhirimet priten të zhvillohen në Britani, ndërsa premiera është planifikuar për 18 shkurt 2028, pas disa shtyrjeve.
Reeves ka publikuar tashmë disa pamje testuese nga filmi, ku Pattinson shfaqet sërish si Betmeni, ndërsa studioja “Warner Bros.” në Leavesden po transformohet në qytetin imagjinar të Gothamit. Duket se po ndërtohet një botë krejtësisht e re, që me sa duket po i vë në provë edhe nervat e aktoreve më me përvojë. Po ju, mendoni se ishte thjesht roli, apo edhe periudha e jetës në të cilën ndodhej, siç tha vetë Scarlett?
