Pierce Brosnan: Callum Turner do të ishte një James Bond i shkëlqyer

Pierce Brosnan mendon se Callum Turner, aktori 36-vjeçar, i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë James Bondi i ardhshëm dhe e ka vlerësuar me të madhe.
Sipas Brosnan, Turneri ka gjithçka që i duhet një Bondi: praninë e duhur, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër një rol kaq legjendar. Ish-Bondi, i cili e luajti rolin në katër filma nga viti 1995 deri në 2002, tha për revistën Vanity Fair se e admiron Turnerin, me të cilin ka punuar më parë.
Brosnan theksoi se të gjithë emrat që përfliten për rolin kanë zërin, fizikun dhe praninë e duhur në ekran, duke u uruar sukses kujtdo që do të zgjidhet. Ai tha se është e vështirë të thuhet se kush do ta marrë rolin, por mezi pret të mësojë lajmin. Brosnan shprehu entuziazëm për filmin e ardhshëm, që do të drejtohet nga Denis Villeneuve, regjisori pas filmave të njohur “Dune”. “Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Ai është një regjisor vizionar dhe mënyra se si ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme. Filmi do të jetë vërtet madhështor,” tha Brosnan, duke na rritur pritshmëritë.
Nga ana tjetër, Callum Turner ka qenë prej kohësh një emër i lakuar si favorit për të zëvendësuar Daniel Craig në rolin e agjentit të famshëm. Por vetë aktori i ka mohuar zërat, duke thënë se nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar për përzgjedhjen. “Di po aq sa dini edhe ju”, deklaroi Turner, duke shtuar se edhe miqtë e tij më të mirë e pyesin për Bondin, ndërsa ai nuk di asgjë.
