MAD ShqipëriaMAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Stil jetese

Si ta bësh prapë krokante picën e mbetur? Këto janë metodat!

Pexels

Nuk ka kuptim të gënjesh veten, pica e ditës tjetër nuk të jep të njëjtën kënaqësi si hera e parë. Brumi humbet krokancën, djathi forcohet dhe baza mund të bëhet e butë ose e çuditshme, sidomos nëse e ngroh në mikrovalë. Por, kjo nuk do të thotë që duhet të kënaqesh me një rezultat mediokër. Asnjëherë!

Sekreti qëndron në mënyrën si do ta ngrohësh. Qoftë nëse ke vetëm një fetë apo disa pjesë të mbetura nga nata më parë, ka mënyra super të lehta për të rikthyer atë krokancën e brumit dhe për të ngrohur si duhet mbushjen. Dhe pjesa më e mirë? Nuk të duhet ndonjë pajisje speciale. Tigani është heroi i vërtetë për një bazë që bën crunch!

Tigani: Për atë krokancë perfekte

Nëse do të ngrohësh një ose dy feta pice, tigani është ndër zgjedhjet më të mira. Thjesht vendosi fetat në një tigan jo ngjitës dhe lëri të ngrohen në zjarr të ulët deri në mesatar për rreth pesë deri në tetë minuta.

E rëndësishme është të mos nxitohesh dhe të mos e rrisësh flakën! Nxehtësia e ngadaltë ndihmon bazën të bëhet prapë krokante, pa u djegur përpara se djathi të shkrihet. Për një rezultat akoma më të mirë, mund ta mbulosh tiganin me një kapak, që nxehtësia të mbahet brenda dhe djathi të shkrihet uniformisht. Nëse picës i duhet pak lagështi shtesë, hidh disa pika ujë në një cep bosh të tiganit dhe mbuloji menjëherë, pa e lagur brumin. Gjeni!

Furra tradicionale: Kur je me shoqërinë

Kur do të ngrohësh më shumë feta njëherësh, furra tradicionale është një zgjidhje praktike. Nxehe paraprakisht në 175-180°C dhe vendose picën në një tavë. Për një bazë më krokante, mund ta lësh tavën të nxehet bashkë me furrën përpara se të vendosësh fetat sipër.

Zakonisht duhen rreth tetë deri në dymbëdhjetë minuta, në varësi të trashësisë së brumit dhe sasisë së përbërësve. Kontrollo picën drejt fundit, që djathi të mos thahet dhe baza të mos marrë shumë ngjyrë. Rezultati është më uniform sesa ai i mikrovalës, sidomos kur ngroh disa pjesë njëherësh.

Air fryer: Kur je në garë me kohën (dhe do krokancë!)

Nëse ke air fryer, mund ta shfrytëzosh ajrin e nxehtë për të rikthyer krokancën e brumit në pak minuta. Vendosi fetat në një shtresë, pa i mbivendosur, dhe ngrohi në 175-180°C për rreth tre deri në pesë minuta.

Meqë çdo pajisje funksionon pak ndryshe, kontrollo picën më herët, sidomos nëse ka bazë të hollë. Air fryer-i mund ta ngrohë shpejt brumin dhe të shkrijë djathin, pa të lënë të presësh të nxehet një furrë e madhe. Shpëtim!

Furra me mikrovalë: Kur s'ke zgjidhje tjetër (dhe s'të rruhet për krokancë)

Furra me mikrovalë është padyshim zgjidhja më e shpejtë, por nuk ndihmon shumë kur qëllimi është baza krokante. Ngrohja mund ta bëjë brumin të butë dhe të çuditshëm, ndërsa djathi mund të nxehet në mënyrë jo-uniforme. Gjynah, pica e ngrohur në mikrovalë duket sikur ka parë ditë më të mira...

Por, nëse të zë halli, vendos një fetë në pjatë dhe fillo me 30 sekonda në fuqi mesatare. Kontrollo temperaturën dhe vazhdo për disa sekonda të tjera, nëse duhet. Shmang ngrohjen e zgjatur, pasi mund të thajë përbërësit dhe të prishë më shumë teksturën e brumit. Minimumi i dëmit, maksimumi i shpejtësisë.

Sekreti tjetër: Si ta ruash si duhet picën

Për të shijuar picën edhe të nesërmen, ruajtja e saktë është po aq e rëndësishme sa ringrohja. Vendosi fetat në frigorifer brenda dy orësh nga servirja, në një enë të mbyllur ose të mbuluara mirë. Ato mund të ruhen në frigorifer për rreth tre deri në katër ditë.

Nëse nuk do t'i konsumosh brenda kësaj kohe, mund t'i ngrish. Në çdo rast, mos e lë picën për orë të tëra në temperaturë dhome dhe sigurohu që të ngrohet mirë përpara se ta konsumosh. Shëndeti mbi të gjitha, edhe kur bëhet fjalë për pica!

Në fund të fundit, metoda më e mirë varet nga koha që ke në dispozicion dhe rezultati që preferon. Për bazë krokante në një ose dy feta, zgjidh tiganin. Për sasi më të mëdha, prefero furrën, ndërsa air fryer-i është ideal kur do shpejtësi pa sakrifikuar teksturën. A jeni gati të provoni truket dhe të na tregoni cila ju pëlqeu më shumë?

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.

Shikojeni këtë lajm në video