MAD ShqipëriaMAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Të famshëm

Rita Ora hyn në botën e shkencës, bashkë me alienët!

via Instagram @ritaora

Artistja jonë ndërkombëtare, Rita Ora, i është bashkuar kastit të filmit të ri “The Signalers”, një përzierje fantastiko-shkencore dhe thrilleri aventuresk. Po, e dëgjuat mirë, nga skena te sinjalet e mistershme, Rita po ndryshon totalisht regjistër!

Ajo do të ndajë ekranin me aktorin Tom Hopper, të cilin e kemi parë në seriale si “The Umbrella Academy” dhe “The Terminal List”, si dhe me yllin në ngritje të Hollywood-it, Mila Harris, e njohur nga projektet “No Exit” dhe “Mary”. Këtu flasim për kast të nivelit tjetër!

Në kast janë përfshirë gjithashtu aktorët Missi Pyle nga “Galaxy Quest” dhe Nolan North nga “Uncharted”. Nuk mungojnë as role mbështetëse nga Paulina Alvarez, David Silverman dhe Wolfgang Fiegl.

Filmi, që tashmë ka nisur xhirimet, është një prodhim i kompanisë Gramercy Park Media. Skenari është shkruar nga Cate Carson, një ish-detektive dhe specialiste e inteligjencës ushtarake – e shikon sa serioz qenka ky projekt?! Regjinë e ka marrë përsipër Gille Klabin, i famshëm për filmin “The Wave”.

Ngjarja përqendrohet te një kontrollor i trafikut ajror, i luajtur nga Tom Hopper, i cili punon në një zonë të izoluar, dhe te mbesa e tij, Mila Harris, me të cilën ka një marrëdhënie paksa të shkëputur. Siç ndodh shpesh në filmat e tillë, jeta e tyre merr një kthesë totalisht të papritur kur zbulojnë një sinjal super të çuditshëm në thellësi të një zone të egër në Kanada. Ky sinjal shkakton fenomene nga më të rrezikshmet, duke i shtyrë protagonistët të nisin një udhëtim për të zbuluar misterin e tij.

Dhe këtu hyn Rita Ora! Gjatë kërkimeve, Tom dhe Mila takojnë një grup shkencëtarësh hulumtues, mes të cilëve edhe Rita dhe Missi Pyle, të gjithë duke u munduar të gjejnë kuptimin e këtij fenomeni. Por, pa dashje, përpjekjet e tyre i çojnë drejt zbulimit të një force të jashtëtokësore të harruar prej kohësh, e cila, natyrisht, po zgjohet pikërisht rreth tyre! Imagjinoni Ritën duke u përballur me alienët... A do të sjellë ajo ndonjë këngë nga ky bashkëpunim?!

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.

Shikojeni këtë lajm në video