MAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Stil jetese

Më pak është më shumë: Pesë gjëra që e 'rëndojnë' shtëpinë tënde pa e kuptuar

Pexels

Shpesh herë e shikon shtëpinë dhe ke atë ndjesinë: diçka s'shkon, po s'e kap dot çfarë! Mobiljet janë në vendin e tyre, ngjyrat duken ok, por gjithsesi hapësira rri si e mbushur, si paksa 'too much'. Epo, shpesh faji bie te ato dekoret e vogla, që me kalimin e kohës janë mbledhur e tani gjenden kudo, duke zënë vend edhe në mendjen tënde, besojmë!

Epo jo, s'është nevoja të bësh pastrim të thellë apo të hedhësh në plehra objektet e tua të zemrës. Thjesht disa ndryshime të vogla te mënyra si i vendos gjërat mund ta bëjnë shtëpinë të duket më e rregullt dhe stil plot. Sekreti? Lër më shumë 'ajër' në hapësirë dhe zgjidh çfarë ia vlen vërtet të jetë në plan të parë. Para se të nisësh pazaret e reja për të 'freskuar' shtëpinë, bëj të kundërtën: hiq gjëra! Me pak seleksionime të mira, mund të kesh një hapësirë më 'clean', më komode dhe më të kujdesshme.

Detajet e vogla që bëjnë kërdinë

Një vazo e vogël këtu, një qiri atje, një figurinë, një tas dhe diku mes tyre një kornizë. E di atë ndjesinë kur tryeza e kafesë, komodina apo dhe rafti i televizorit duken si tezga në pazar? Kur gjithë këto objekte mblidhen në të njëjtën sipërfaqe, rezultati është më shumë 'rrëmujë vizuale' sesa komoditet. Po ashtu, nuk jemi te Pazari i Ri, që të kemi çdo sipërfaqe të mbushur!

Provo të krijosh 'grupe' të vogla me objekte të ngjashme ose me kuptim, dhe lër ca vende bosh mes tyre. Nuk është nevoja që çdo qoshe të ketë patjetër diçka sipër. Thjesht jepi pak frymë ambientit, o vëlla! Përzgjidh dy-tre objekte që shkojnë me njëra-tjetrën dhe lëri t'i shijosh ato, jo shumë të tjera që vetëm zënë vend.

Jastëkët: Dashuri apo torturë?

Po, po, jastëkët e bëjnë divanin super të rehatshëm dhe i japin karakter sallonit menjëherë. Ama, kur duhet të lëvizësh pesë jastëkë me radhë vetëm që të ulesh, atëherë e ke kaluar pak masën, apo jo? Divani duhet të jetë vend çlodhjeje, jo një fushë beteje me jastëkë!

Mbaj disa jastëkë në madhësi dhe tekstura të ndryshme, dhe luaj me dy ose tre ngjyra që përshtaten mes tyre. Qëllimi është të jetë komode, jo ku të ulem unë?!

Raftet e stërmbushura dhe 'kujtimet' pa vlerë

Të mbushësh çdo centimetër të lirë të një biblioteke apo rafti nuk e bën domosdoshmërisht hapësirën më interesante. Përkundrazi, mund të krijojë ndjesinë se të gjitha objektet konkurrojnë me njëri-tjetrin për vëmendje. Nuk është konkurs bukurie, por dekor shtëpie, mbaje mend!

Lër disa rafte më bosh dhe kombino libra, objekte të vogla dekorative dhe bimë me lartësi të ndryshme. Pak hapësirë boshe i bën objektet që ke zgjedhur të shkëlqejnë më shumë. Dhe mos na harro fotot! Fotografitë janë mënyra më e lehtë për ta bërë një hapësirë personale, kjo s'diskutohet. Por kur ka dhjetëra korniza në çdo tryezë, raft e mur, kjo krijon më shumë 'zhurmë vizuale' sesa ndjenjë.

Përzgjidh fotot e tua të preferuara dhe grumbulloji në një pikë të caktuar. Një 'gallery wall' e vogël ose një kompozim i kujdesshëm mund të duket shumë më stil sesa dhjetëra korniza të shpërndara. Zgjidh më të bukurat dhe vendosi bashkë, me stil.

Koha për të hequr dorë nga gjërat e vjetra

Ç'të themi për ato objekte që s'të pëlqejnë më aq shumë, por thjesht… janë 'instaluar' në shtëpi? Një suvenir nga një udhëtim, një dekor i vjetër ose diçka që e bleve dikur se ishte trend, mund të ketë mbetur në vend për vite me radhë. Këto shpesh herë janë pikërisht ato që e bëjnë hapësirën të duket e rënduar dhe pa personalitetin tënd aktual.

Bëj një 'reset' të vogël dekorativ dhe mbaj vetëm ato që vërtet të pëlqejnë ose kanë një histori për ty. Nëse diçka s'të ofron asgjë dhe thjesht zë vend, mbase ka ardhur ora t'i thuash lamtumirë. Fundja, shtëpia jote është reflektim i shijes dhe qetësisë tënde, jo një magazinë kujtimesh të paqarta. Më pak gjëra, më shumë hapësirë për frymëmarrje – kjo është filozofia!

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.

Shikojeni këtë lajm në video