MAD ShqipëriaMAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Stil jetese

A e dini çfarë fshihet pas "overnight oats" virale në TikTok?

Pexels

Nuk ka shanse të kesh hapur Instagramin apo TikTok-un dhe të mos të ketë zënë syri një nga ato videot super estetike me kavanozë qelqi, plot e përplot me "overnight oats". Shtresa shumëngjyrëshe me kos, fruta të freskëta, fara chia, çokollatë të shkrirë dhe lugë bujare me gjalpë kikiriku, na vërshojnë faqen kryesore, duke na i prezantuar si opsioni "ultimate" për një mëngjes të shëndetshëm dhe plot energji. E pra, imazhi i tyre është aq joshës sa të bën të vraposh direkt në kuzhinë për të bërë edhe ti tëndin.

E vërteta është që "overnight oats" janë një zgjidhje super praktike për të gjithë ata që e kanë të pamundur të gatuajnë në mëngjes. Përgatitja bëhet një natë më parë dhe nuk të merr më shumë se disa minuta. Por, ky popullaritet i jashtëzakonshëm në botën dixhitale, shpesh krijon idenë e gabuar se çdo gjë që futet në ato kavanozë magjikë kthehet automatikisht në një super-ushqim që bën mrekulli për metabolizmin. Këtu lind pyetja e madhe: a janë "overnight oats" vërtet aq ushqyese dhe të pafajshme sa duken në rrjetet sociale, apo fshehin kurthe ushqimore?

Ku fshihet e vërteta?

Përgjigja, ta themi troç, fshihet ekskluzivisht tek përbërësit që zgjedh të shtosh mbi bazën e tërshërës. Ndërkohë që tërshëra vetë ofron përfitime të jashtëzakonshme për tretjen, kolesterolin dhe ndjesinë e ngopjes – gjynah ta mohojmë – përdorimi pa kriter i shurupeve, granolave të gatshme dhe kremrave të përpunuara mund ta kthejë këtë pjatë që synon të jetë e shëndetshme në një bombë kalorike plot me sheqer. Po ta analizosh vlerën ushqyese, e kupton kollaj ku mbaron ushqyeshmëria e vërtetë dhe ku fillon marketingu i tepruar.

Baza e "overnight oats" s'është tjetër veçse tërshëra, e cila është një burim i shkëlqyer i fibrave bimore të tretshme dhe të patretshme. Çelësi i suksesit të saj është beta-glukani, një fibër e veçantë e tretshme që thith ujin, rrit volumin e vaktit dhe ngadalëson procesin e tretjes, duke të mbajtur të ngopur për shumë më gjatë. Dhe po, procesi "overnight" është thjesht një mënyrë e zgjuar për të zbutur tërshërën pa pasur nevojë ta ziesh, pa harruar që pritja në frigorifer nuk i rrit në mënyrë magjike vlerat ushqyese. Kështu që, mos u hidhni nga rafti i supermarketit te rafti i "superfood" vetëm sepse shkruan "overnight"!

Kur shkon dëm e gjitha?

Pika ku humbet plotësisht balanca është kur kavanozi yt fillon t'i ngjajë më shumë një ëmbëlsire kalorike sesa një nisjeje ushqyese për ditën. Duke shtuar sasi të mëdha mjalti, copeza çokollate, kremra çokollate të gatshme dhe granola industriale, ti i rrit menjëherë sasinë e sheqernave të shtuara. Siç thekson edhe Shkolla e Shëndetit Publik Harvard T.H. Chan, tërshëra është një ushqim i shkëlqyer, por shtimi i tepërt i sheqerit anulon përfitimet e saj, duke shkaktuar luhatje të papritura në nivelin e sheqerit në gjak. Dhe mos harroni, askush nuk dëshiron të ndjejë atë rënie të energjisë pas një mëngjesi "të shëndetshëm"!

Si t'i bësh vërtet "healthy"?

Për të shijuar një vakt vërtet të balancuar, nisuni me tërshërë të thjeshtë dhe shtoni qumësht ose një pije bimore pa sheqer të shtuar. Rriteni sasinë e proteinave duke shtuar një lugë kos, hidhni fara chia ose fara liri për yndyrna të mira dhe preferoni fruta të freskëta ose të ngrira për ëmbëlsi natyrale. Nëse doni pak më shumë shije, hidhni pak erëza si kanella dhe vanilja, në vend të shurupeve të ndryshme, dhe mbani arrat ose gjalpin e arrave në sasi të kontrolluar. Fundja, nuk po bëjmë festë me kalori, por mëngjes të mirë!

Pra, a ia vlen vërtet të bëhesh skllav i trendeve, apo më mirë të hash shëndetshëm dhe pa faj? Zgjedhja është e jotja, por të paktën tani e di se çfarë po fut në atë kavanozin e bukur. A do vazhdosh me atë "bombën kalorike" apo do i bësh rregullat vetë?

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.

Shikojeni këtë lajm në video