Walking workout: Fiksimi i ri i fitnesit që s'është aspak i ndërlikuar

Ecja ka qenë gjithmonë një nga format më të thjeshta të ushtrimit, por tani është shndërruar në trendin absolut të fitnesit. Po flasim për walking workout, i cili ka pushtuar rrjetet sociale , duke u kthyer në zgjedhjen e preferuar të shumë njerëzve që duan të shtohen lëvizjen gjatë ditës. Dhe e dini çfarë? Nuk keni nevojë për asnjë pajisje të shtrenjtë, as për abonim në palestër, as për ushtrime nga ato që të bëjnë të qash. Kjo është shansi juaj për një zakon të ri, super të lehtë!
Ky trend është kombinimi perfekt i ushtrimit, mirëqenies dhe një humori më të mirë, gjë që shpjegon pse gjithnjë e më shumë njerëz po e bëjnë pjesë të rutinës së tyre. Nga një shëtitje e thjeshtë në lagje e deri te një ecje e shpejtë në park, walking workout dëshmon se ushtrimi nuk ka pse të jetë një torturë për të dhënë rezultate. Nuk bëhet fjalë për një shëtitje të zakonshme relaksuese, por për një ecje pak më të organizuar dhe më të shpejtë, me qëllim që të rriten rrahjet e zemrës dhe të aktivizohet më shumë trupi. Është një formë e vërtetë kardioje, por ajo që na pëlqen më shumë është se mund të përshtatet me çdo nivel fizik. Gjithçka që ju duhet janë një palë atlete të rehatshme dhe pak dëshirë për të lëvizur – kaq!
Si t'ia nisni? Filloni me 20-30 minuta ecje të shpejtë disa herë në javë dhe gradualisht rriteni kohëzgjatjen. Mbani një qëndrim të drejtë të trupit, me shpinën drejt dhe hapin të qëndrueshëm. Për ta bërë eksperiencën më argëtuese, hidhni një playlist të preferuar ose ndonjë podcast interesant. Dhe nëse doni pak më shumë intensitet, provoni intervale të shkurtra ku ecni shumë shpejt dhe më pas ktheheni në një ritëm më të qetë. Këtu s'ka justifikime!
Walking workout u bë viral sepse është kaq i thjeshtë, ekonomik dhe i përshtatshëm për çdo stil jetese. S'keni pse t'i kushtoni orë të tëra palestrës për t'u kujdesur për trupin dhe për t'u ndjerë më mirë. Një ecje e përditshme mund të jetë ndryshimi i vogël që do t'ju ndihmojë të keni më shumë energji dhe humor më të mirë. Kështu, ndonjëherë, zakonet më të thjeshta janë ato që bëjnë diferencën më të madhe. Dhe kush tha që stërvitja duhet të jetë gjithmonë makth?
