Kim Kardashian risjell fustanin leopard të '98-ës dhe ne s'dimë ç'të themi!

Kim Kardashian u shfaq në Romë për premierën e sezonit të dytë të serialit “All's Fair”. Ajo vendosi të rikthente magjinë e modës së viteve '90. Në tapetin e kuq, ylli amerikan tërhoqi vëmendjen me një fustan vintage të shtëpisë së modës Yves Saint Laurent, pjesë e koleksionit të vitit 1998. Ky fustan, me print leopard dhe një siluetë që theksonte format e trupit, i vuri të gjithë sytë mbi të.
Ngjarja u zhvillua të shtunën në Auditorium Parco della Musica, dhe Kim zgjodhi një krijim të ngushtë, me rripa, me print leopard. Një kthim i mirëfilltë në estetikën e guximshme që karakterizonte fundin e viteve '90. Për ta plotësuar look-un, ajo kishte hedhur mbi shpatull një shall të lehtë prej shifoni, me të njëjtin motiv, dhe taka të zeza.
Por, Kim nuk ishte e vetmja që tërhoqi vëmendjen me zgjedhjet e saj të modës. Bashkë-aktoret e saj në serial, Naomi Watts dhe Sarah Paulson, gjithashtu u shfaqën në tapetin e kuq. Watts zgjodhi një fustan të zi saten nga stilistja Roksanda, me detaje grafike që dukeshin si spërkatje bojash dhe një fund me volum dramatik. Paulson, nga ana tjetër, veshi një krijim të bardhë të bërë me porosi nga Miu Miu, i zbukuruar me rruaza. Edhe Kris Jenner, mamaja e Kim Kardashian, ishte aty, duke shkëlqyer me një pelerinë të zezë frymëzuar nga një krijim i stilistes Tiziani Roma, që dikur e kishte veshur legjenda e Hollywood-it, Elizabeth Taylor. Epo, mollët nuk bien larg pemës, apo jo?
Përtej "parades" së modës, mbrëmja shënoi edhe premierën e sezonit të ri të “All's Fair”, serialit të krijuar nga Ryan Murphy. Në këtë serial, Kim Kardashian luan Allura Grant, një avokate nga Los Anxhelosi e specializuar në çështjet e divorcit. Naomi Watts është Liberty Ronson, bashkëthemeluese e firmës ligjore, ndërsa Sarah Paulson interpreton avokaten rivale Carrington Lane. Sezoni i dytë pritet të shfaqet në platformën Disney+ më 4 nëntor 2026. Por, kthimi i serialit vjen pas një sezoni të parë që u përball me kritika të shumta, sidomos për skenarin dhe interpretimin e Kardashian, e cila është edhe producente ekzekutive.
Pavarsisht reagimeve të ndryshme për serialin, Kim me paraqitjen e saj në Romë tregoi edhe një herë që e di si ta përdorë modën për të krijuar një moment për t'u komentuar. Kësaj radhe, në vend që të ndiqte trendet e reja, ajo zgjodhi të nxirrte nga harresa një krijim të së shkuarës, duke i dhënë jetë stilit të guximshëm të viteve '90. Por, a ia vlen vërtet të kthehemi pas në kohë për një fustan? Ne themi: pse jo, kur duket kaq mirë! Apo ju si mendoni?
