5 aplikacione që të fusin në ‘fitness mood’ pa dalë nga shtëpia!

Nëse telefoni yt është plot me aplikacione për muzikë, rrjete sociale dhe streaming, është koha të bësh pak vend edhe për fitness-in. Nëse dëshiron të ndryshosh pak rutinën dhe të futesh në "fitness mood", kemi lajme të mira: nuk të duhet patjetër abonim në palestër apo pajisje super të shtrenjta. Bëj gati pak hapësirë te telefoni, se po të tregojmë disa aplikacione që mund të ta bëjnë jetën më të lehtë dhe, pse jo, më argëtuese!
Këto aplikacione janë zgjidhja perfekte si për ata që duan të fillojnë nga zeroja me ushtrimet, ashtu edhe për ata që thjesht kërkojnë një mënyrë më "fun" për të qëndruar aktivë.
Për Ata Që Donë Të Lëvizin, Kudo
S'të pëlqen ideja e palestrës, apo s'ke kohë? Këto dy aplikacione të vijnë në ndihmë për të transformuar çdo cep të shtëpisë në një mini-palestër. Harroje justifikimin s'kam ku të shkoj!
Nike Training Club: Nëse s'di nga t'ia nisësh me ushtrimet në shtëpi, ky aplikacion është shoku yt i ri. Ai ofron një mori stërvitjesh: nga ato për forcë dhe HIIT, te yoga dhe ushtrimet e lëvizshmërisë. Mund të zgjedhësh atë që të përshtatet më shumë dhe të organizosh stërvitjen sipas kohës dhe hapësirës që ke në dispozicion. Është perfekt për të zbuluar lloje të ndryshme ushtrimesh pa u lidhur me një program të vetëm.
FitOn: Mos e mendo dy herë nëse s'ke kohë për palestër. FitOn vjen me video stërvitje që përfshijnë opsione si kardio, pilates, yoga dhe stërvitje për forcë. Mund të provosh lloje të ndryshme ushtrimesh, të ndjekësh programe të drejtuara dhe të gjesh atë që i përshtatet humorit tënd të momentit. Është një zgjidhje super praktike nëse dëshiron të ushtrohesh në shtëpi apo të futësh pak lëvizje në programin tënd pa shumë komplikime. Mjafton të zgjedhësh videon dhe të fillosh!
Kur Rruga Të Thërret
Nëse je nga ata që "pastrojnë mendjen" duke vrapuar apo duke bërë biçikletë jashtë, këto aplikacione do t'i shtojnë një tjetër dimension aventurës tënde.
Nike Run Club: Për ty që vrapi është mënyra për të shpëtuar nga rutina e përditshme, Nike Run Club mund të bëhet shoqja jote e re e vrapit. Aplikacioni regjistron itineraret e tua, monitoron performancën dhe ofron udhëzime audio e programe për nivele të ndryshme. Pavarësisht nëse po përgatitesh për vrapin tënd të parë apo dëshiron të përmirësosh qëndrueshmërinë, do të gjesh motivim të mjaftueshëm për të dalë nga dera dhe për të nisur.
Strava: Për ata që e duan vrapin, biçikletën apo aktivitetet në natyrë, Strava kombinon regjistrimin e ushtrimeve me një eksperiencë sociale. Mund të ndjekësh itineraret e tua, të ndash aktivitetet dhe të shikosh performancat e shoqërisë. Kështu, stërvitja bëhet një mënyrë për t'u lidhur me njerëz që kanë interesa të ngjashme. Mos harro, megjithatë, që performancat e të tjerëve nuk duhet të jenë masë krahasimi për ty.
Për Kampionët e Palestrës
Nëse peshat janë pasioni yt dhe palestra është shtëpia e dytë, ky aplikacion është "sekretarja" që s'ke pasur kurrë!
Hevy: Për ty që preferon peshat dhe stërvitjet në palestër, Hevy të ndihmon të organizosh super mirë "workout-in" tënd. Mund të regjistrosh ushtrimet, seritë, përsëritjet dhe peshat, në mënyrë që të kesh një pasqyrë super të qartë të progresit. Në vend që të mundohesh të mbash mend çfarë bëre në stërvitjen e kaluar, tani i ke të gjitha informacionet të grumbulluara në celular.
Nuk të duhet t'i shkarkosh të pesta aplikacionet për të ndryshuar rutinën. Nis me atë që i përshtatet më shumë stilit tënd të jetës dhe shiko nëse të ndihmon të qëndrosh aktiv. Kontrollo cilat funksione janë falas dhe cilat kërkojnë abonim. Gjej një formë ushtrimi që të pëlqen dhe jepi vetes kohë për të krijuar rutinën tënde.
