Mariah Carey në Ferizaj?! Po, ka ndodhur para 25 vitesh!

Në dhjetor të vitit 2001, superylli i muzikës Mariah Carey zbarkoi në Kosovë, ku mbajti një koncert për trupat amerikane të stacionuara në bazën ushtarake Camp Bondsteel në Ferizaj. Kjo vizitë, pjesë e një turneu të organizuar nga USO America, kishte një mision të qartë: të rriste moralin e paqeruajtësve amerikanë gjatë sezonit të festave.
Carey mbërriti në Kosovë më 4 dhjetor 2001, disa muaj pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Gjatë asaj periudhe, ajo ishte ndër artistët e shumtë që zgjodhën të vizitonin trupat amerikane jashtë vendit, duke u ofruar mbështetje dhe duke ndihmuar në ngritjen e shpirtrave të tyre. Diva fluturoi me helikopter drejt tri bazave amerikane në Kosovë, ku u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga ushtarët. Ajo pozoi për fotografi, firmosi albume dhe mbajti një koncert për trupat.
Në skenën e Camp Bondsteel, Mariah këndoi disa nga hitet e saj, përfshirë "Loverboy", "Never Too Far/Hero" dhe "My All". Por si mund të mungonte ajo atmosferë Krishtlindjesh kur është Mariah Carey në pyetje? Ajo këndoi edhe "Santa Claus Is Comin' to Town" dhe hitin e saj tashmë ikonik, "All I Want for Christmas Is You". Vetë Carey e përshkroi vizitën si një përvojë vërtet unike për të. Ishte shumë ndryshe nga çdo gjë që kisha përjetuar më parë dhe është diçka që nuk do ta harroj kurrë, tha ajo pas vizitës.
Edhe 25 vite më vonë, kujtimi i vizitës së saj në Kosovë mbetet një nga momentet më të veçanta nga turnetë e saj për trupat amerikane. Fotografitë e shpërndara nga agjencitë ndërkombëtare atëherë e dokumentojnë mirë këtë ngjarje. A do të kishte kush menduar se "All I Want for Christmas Is You" do të jehonte edhe në Ferizaj?
