Kënga e re e Shpat Kasapit, Selvija tregon pse e mbajti të fshehur kaq gjatë

Zëri i Shpat Kasapit po dëgjohet sërish, falë publikimit të këngës së tij të re nga bashkëshortja, Selvije Jao. Kjo nuk është thjesht një këngë e re, por një projekt që mbart pas vetes një histori super të fortë dhe një emocion që të prek në shpirt.
Selvija zbuloi në Instagram se këtë këngë e kishte ruajtur larg publikut për një kohë të gjatë, sepse nuk ndihej gati emocionalisht për ta ndarë. Por ja që tani ishte momenti.
Gjithçka nisi pak para se Shpati të futej në “Big Brother VIP Albania 5”. Ai i kishte dërguar Selvijes katër versione demo të këngës dhe i kishte kërkuar të zgjidhte atë që i pëlqente më shumë. Selvija kishte zgjedhur pikërisht këtë version që tashmë është publikuar, me planin që kënga të dilte gjatë kohës që Shpati ishte brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Por jeta, siç shpesh ndodh, kishte plane të tjera. Pas ndarjes së parakohshme nga jeta të këngëtarit, në nëntor të vitit të kaluar, kënga mbeti pa u publikuar. Selvija tregon se rreth muajit mars ose prill, producenti Anton Prendi ia kishte dërguar projektin e përfunduar. Ajo nuk harroi të falënderonte edhe Arti Rec dhe Imperial B për mbështetjen e tyre.
Dhimbja e humbjes e bëri të pamundur për Selvijen që ta publikonte këngën menjëherë. Ajo e mbajti vetëm për vete për muaj të tërë, një thesar personal. Por më në fund, vendosi që zëri i Shpatit duhet të dëgjohej sërish, Për të, kjo këngë është më shumë se thjesht muzikë; është përmbushja e një amaneti dhe një mënyrë për ta mbajtur të gjallë kujtimin e Shpatit.
Dhe titulli i këngës, “A je rahat pa mu”, tani ka një domethënie akoma më të thellë dhe prekëse për Selvijen. Një dhimbje që nuk shuhet lehtë, por një dashuri që vazhdon të dëgjohet.
