Maska DIY që të jep efekt 'mezoterapie' pa u shpuar xhepi? Kjo recetë ka bërë nami!

Nuk ka më nevojë të hapësh thesin për produkte luksoze apo trajtime të shtrenjta për të pasur një lëkurë rrezëllitëse. Duket se sekretet e vërteta fshihen në dollapët e kuzhinës, mes përbërësve më të thjeshtë! Pas një dite të lodhshme, kur lëkura kërkon hidratim e rigjallërim, trendi i trajtimeve DIY (bëje vetë) po kthehet në qendër të vëmendjes.
E quajtur “Mesotherapy Glow Mask”, kjo maskë shtëpie po premton të dhurojë ndjesinë e kujdesit profesional, thellësisht ushqyes, pa shpenzime të kota dhe në mënyrë krejt natyrale. Filozofia pas kësaj magjie shtëpiake bazohet në kombinimin e katër përbërësve fuqiplotë: kos, mjaltë, niseshte misri (cornflour) dhe Vitaminë E. Thuhet se kjo formulë magjike zbut, ushqen dhe ndriçon lëkurën në pak minuta, duke ofruar atë efektin “glass-skin” që po shohim kudo në rrjetet sociale e trendet e bukurisë!
Kosi, pa dyshim, është kampioni i hidratimit. Ai zbut lëkurën dhe ndihmon që ajo të duket më e lëmuar dhe uniforme, duke i kthyer rehatinë asaj lëkure të lodhur. Ndërsa mjalti, ai nektari i artë, funksionon si një magnet natyral për lagështinë, duke e tërhequr thellë në lëkurë. Kështu, lëkura bëhet më e butë dhe barriera e saj mbrojtëse forcohet – bravo mjaltë!
Niseshteja e misrit, nga ana tjetër, dhuron një ndjesi kadifeje, duke ndihmuar në zbutjen e përkohshme të poreve dhe duke e lënë lëkurën dukshëm më të butë. E mos të harrojmë Vitaminën E, ky antioksidant i fuqishëm që mbron elasticitetin e lëkurës dhe e ruan atë nga stresi oksidativ i përditshëm. Praktikisht, është si bodyguard-i personal i lëkurës tënde!
Si ta aplikosh këtë eliksir shtëpiak? Mjafton të shtrosh maskën në mënyrë uniforme në fytyrë, qafë dhe dekolte të pastër, duke e lënë të veprojë për 15 deri në 20 minuta. Më pas, shpëlaje mirë me ujë të vakët dhe vazhdo me kremin tënd të preferuar hidratues. Rekomandohet ta bësh një deri në dy herë në javë, veçanërisht nëse ke lëkurë të thatë, të pjekur, të lodhur apo pa shkëlqim. Epo, kush thotë që bukuria kushton një mal me para?
