Histori si në film! Një burrë zbulon se babai i tij biologjik është ylli me çmime 'Grammy'!

Imagjinoni këtë skenar filmash, po ndodhi realisht! Një burrë nga St. Louis, Michael Goessling, ka jetuar gjithë jetën me pyetjen kush ishin prindërit e tij biologjikë. Epo, misteri mori fund, dhe rezultati ishte më epik se çdo fantazi. Babai i tij biologjik është një fitues i pesëfishtë i çmimit 'Grammy'!
Michael u adoptua si foshnjë, pasi prindërit e tij biologjikë ishin vetëm 14 vjeç kur e konceptuan. Paul dhe Kay Goessling e adoptuan dhe e rritën në St. Louis. Michael rrëfen se gjithmonë e dinte që ishte i adoptuar dhe se ka pasur një fëmijëri të mrekullueshme.
Megjithatë, kureshtja për origjinën biologjike nuk e la kurrë. Enigma filloi të zgjidhej kur një gjysmëvëlla, për të cilin Michael as nuk e dinte se ekzistonte, bëri një test ADN-je 23andMe. Brenda 36 orësh, ai mori një email që i njoftonte: Michael Goessling, gjysmëvëlla, St. Louis, kujton Goessling. Dhe kështu filloi e gjitha.
Në ditëlindjen e tij të 58-të, Goessling u takua personalisht me nënën e tij biologjike dhe më pas komunikoi me babain e tij biologjik në telefon. Kur Goessling e pyeti se çfarë pune bënte, babai i tij përmendi se ishte muzikant dhe po përgatitej për një turne në St. Louis atë verë.
Dhe pastaj erdhi momenti “Uau!” Michael Goessling e pyeti nëse ishte Michael McDonald, dhe ai u përgjigj me një po. Babai i tij biologjik ishte Michael McDonald, këngëtar-kompozitori dhe anëtari i famshëm i grupit Doobie Brothers, i njohur për hite si "What a Fool Believes" dhe "I Keep Forgettin’". Fakti që babai dhe djali kishin të njëjtin emër të parë ishte thjesht një rastësi!
McDonald dhe nëna biologjike e Goessling kanë mbetur miq të ngushtë ndër vite. Gjatë një thirrjeje FaceTime, McDonald përshkroi peshën emocionale të mosdijes se çfarë kishte ndodhur me djalin e tij. McDonald tha se gjithmonë flisnin për të dhe se frika më e madhe ishte si kishte shkuar jeta e tij. Ai tha se e mbajti gjithmonë atë faj me vete, por të dinte se djali ishte mirë dhe kishte një jetë të mirë ishte një shpërblim i madh. Sipas tij, yjet e vërtetë të kësaj historie janë prindërit adoptues.
Më vonë, të dy u takuan personalisht dhe u përqafuan ngrohtësisht. Goessling tregoi se kur McDonald e pa për herë të parë, shtriu krahët, i dha një përqafim të madh dhe i tha se e donte, dhe ai i tha të njëjtën gjë. McDonald, me një të qeshur, tha se ende po përpiqet ta kuptojë. Më vonë ai telefonoi sërish për të thënë se është shumë krenar për nusen dhe dy fëmijët e Goessling.
Një histori e pabesueshme, apo jo? Kush e mendoi se një test ADN-je mund të ndryshonte kaq shumë jetë dhe të të dhuronte një baba superstar?!
